
Kombëtarja shqiptare “Socca 6×6” në minifutboll do të marrë pjesë në finalet e Kampionatit Europian “Socca EuroCup 2025”, një event tepër i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Kuqezinjtë janë shortuar në Grupin E, ku do të përballen me Gjermaninë, Gjeorgjinë, Turqinë dhe Çekinë.
Rrugëtimi i Shqipërisë nis më 4 qershor, në orën 15:00, me ndeshjen ndaj Gjeorgjisë. Një ditë më pas, më 5 qershor, skuadra jonë do të luajë dy takime, kundër Turqisë në orën 13:00 dhe ndaj Gjermanisë në orën 20:00.
Ndeshja e fundit në fazën e grupeve do të zhvillohet më 6 qershor, në orën 17:00, përballë Çekisë.
Për t’u kualifikuar në fazën me eliminim direkt, kuqezinjtë duhet të renditen në një nga tre vendet e para të grupit. Sakaq, ekziston mundësia e kualifikimit si vendi i katërt më i mirë në grupet me nga pesë ekipe.
