
Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka miratuar kërkesën e Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë për t’i kaluar në menaxhim kësaj shoqate Qendrën Sportive Kamëz, me qëllim zhvillimin dhe organizimin e aktiviteteve sportive dhe stërvitjen e ekipeve të fëmijëve të Tiranës.
Marrëveshja ka si objektiv të forcojë futbollin e bazës në nivel rajonal, duke e shndërruar qendrën në një pikë referimi për kampionatet e grupmoshave, aktivitetet amatore, turnetë dhe programet e edukimit sportiv.
Ajo synon gjithashtu modernizimin dhe përmirësimin e funksionimit të qendrës, duke ofruar një ambient të përshtatshëm për të rinjtë dhe komunitetin sportiv.
Ky vendim konfirmon angazhimin e FSHF-së për zhvillimin e futbollit të bazës dhe ofrimin e infrastrukturës së duhur për aktivitetet sportive në nivel lokal dhe rajonal.