
Riza Çela, Albin Çela, Fadil alias Julian Balla, Denis Daja, Vilson Pepa dhe Gert Çerma janë gjashtë personat që janë shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme, në kuadër të një operacioni të gjerë të kryer me autoritetet ndërkombëtare, mbështetur nga EUROPOL.
Policia e Shtetit në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit kanë ekzekutuar masat e sigurimit për 9 të hetuar (përfshirë edhe një nga drejtuesit), prej të cilëve 7 me masën “arrest me burg” dhe 2 me masën “detyrim paraqitje”, ndërsa një prej të hetuarve gjendet aktualisht i arrestuar në një vend të BE – së (drejtues i organizatës Franc Çopja).
Fadil alias Julian Balla, i cili ndodhet në arrati, rezulton të jetë pronar i resortit luksoz "Ajman Park" në Shijak, ku përfshihen hotele, godina shërbimi, restorant dhe ambiente tregtare. Po ashtu, SPAK ka sekuestruar gjatë operacionit të sotëm dhe një vilë 2-katëshe “ELYSIAN” në bregdetin e Dhërmiut.
Ajo ka një sipërfaqe totale rreth 378.2 m² dhe me vlerë tregu prej afërsisht 1.000.000 Euro, të cilat u sekuestruan nga SPAK. Të dyja këto pasuri që kanë vlerë miliona euro apo miliarda lekë shqiptare, janë në pronëis të Fadil alias Julian Balla.
Ky shtetas rezulton gjithashtu se është president i ekipit të futbollit "Erzeni" dhe në mjaft dalje televizive, ka treguar investimet e mëdha në sport dhe në shërbim. "Ajman Park" është një ndër resortet më luksoze në zonën e Shijakut dhe mendohet të ketë një vlerë miliarda lekë, sepse përfshinë mijëra m2 sipërfaqe.
Personat e shpallur në kërkim nga SPAK dhe Policia e Shtetit:
- Riza Çela
- Albin Çela
- Fadil alias Julian Balla
- Denis Daja
- Vilson Pepa
- Gert Çerma
SPAK thotë se kjo organizatë kriminale operonte në një shkallë globale, duke bashkëpunuar me grupe të tjera kriminale për të lehtësuar transportet drejt porteve evropiane dhe investonte fitimet e mëdha në prona dhe biznese në Shqipëri dhe jashtë saj.
Hetimet u bazuan në analizën e të dhënave të komunikimit të enkriptuara të platformës SkyECC, ku janë zbuluar dërgesa shumë-tonëshe kokainë nga Amerika Latine drejt porteve kryesore të BE-së, përfshirë Hamburgun, Anvers etj.