
Federata Shqiptare e Futbollit ka krijuar një hapësirë të veçantë në website-n zyrtar fshf.org, për t’u ardhur në ndihmë trajnerëve të fëmijëve të moshave 5–8 vjeç dhe 9–11 vjeç.
Kjo dritare e emërtuar Coaching do të jetë falas dhe mund të aksesohet nga kushdo që trajnon fëmijët e këtyre grupmoshave në Shqipëri.
Drejtori Teknik i FSHF, Fulvio Pea, në një prononcim për fshf.org, shpjegoi këtë risi të FSHF dhe rëndësinë e saj për zhvillimin e futbollit të fëmijëve.
“Këto ditë, në faqen tonë të internetit është aktive dritarja Coaching, e cila është falas.
Të gjitha akademitë dhe trajnerët e fëmijëve të moshave 5 deri në 8 vjeç dhe 9 deri në 11 vjeç mund të gjejnë rreth 180 ushtrime stërvitore që mund t’i zhvillojnë me fëmijët e tyre”.
“Ushtrimet përfshijnë si lojtarët e lëvizjes, ashtu edhe portierët, të cilat mund t’i aksesoni me një klik të thjeshtë:
Duke hyrë në faqen tonë të internetit
Duke klikuar në dritaren Coaching që ndodhet në anën e djathtë të faqes
Duke hapur skedarin që ju intereson
Duke klikuar mbi të, do të gjeni ushtrimet që i nevojiten fëmijëve tuaj.”
“Materiali i përgatitur do të ndihmojë në rritjen e cilësisë së seancave stërvitore, specializimin e punës teknike sipas grupmoshave, dhe zhvillimin e aftësive reale që çdo fëmijë duhet të stërvisë dhe përvetësojë në moshën përkatëse – theksoi drejtori Pea.
“Ushtrimet janë përgatitur nga trajnerët e FSHF-së, një bashkëpunim mes Departamenteve të Ekipeve Kombëtare, Edukimit dhe Zhvillimit & Kërkimit.
Nuk na mbetet veçse t’ju urojmë punë të mbarë, duke ju kujtuar që FSHF është gjithmonë në dispozicionin tuaj dhe bashkë mund të bëjmë gjëra të mëdha” – përfundoi Drejtori Teknik i FSHF.