
Kombëtarja shqiptare ka luajtur mbrëmjen e djeshme një nga sfidat më të rëndësishme për kualifikueset e Botërorit, kundër Kombëtares serbe. Kuqezinjtë luajtën një lojë të bukur, por nuk arritën të merrnin më shumë se një rezultat 0-0.
Për shkak të rëndësisë së takimit dhe situatës së “nxehtë” mes dy kombëtarëve, Tirana ka qenë mbrëmjen e djeshme qendra e shumë mediave ballkanike, të cilat kishin dërguar reporterët e vetë për mbulimin e një ngjarje të rëndësishme sportive.
Megjithatë, pavarësisht situatës dhe “frikës” për incidente, gjithçka në fushë dhe jashtë saj shkoi shumë mirë.
Vëmendjen e mediave ballkanike e ka marrë pikërisht një episod jashtë stadiumit kombëtar, kur një tifoz i kombëtares shqiptare i afrohet gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë gazetarit serb dhe e puth në faqe.
Reporteri i ndërkombëtares Al Jazeera për Ballkanin, Milan Boskovic e ka pritur shumë mirë këtë reagim spontan.
Ai i bën me shenjë moderatorit në studio dhe vazhdon të qesh e të kthejë sytë nga tifozi, që me gjasë mund ta ketë takuar pasi mbylli raportimin nga Tirana. Një mesazh i bukur i tifozit shqiptar, se ne jemi ndryshe, ne jemi për të luajtur futboll e jo për dhunë. (Momenti ne fundit te videos)