Një lajm i trishtë ka mbërritur mëngjesin e kësaj të diele, pasi është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare Ismet Bellova, një nga figurat më të shquara të sportit dhe gazetarisë sportive shqiptare.
Ndërkohë që për ndarjen nga jeta të ikonës së komentimit të ndeshjeve të futbollit, ka reaguar edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Duka nuk kursen elozhet për Bellovën, teksa thekson se do ta kujtojmë gjithmonë me respekt dhe mall.
REAGIMI:
Komentatori i shquar i Radio Tiranës, zëri unik i futbollit shqiptar, që ka komentuar në ditë të vështira e historike të sportit shqiptar, mjeshtër i fjalës dhe profesionist i rrallë, që me zërin e tij shoqëroi breza të tërë, profesor dhe mik i mirë, i respektuar nga i madh e i vogël për gjurmën që la, ndërroi jetë pasi jetoi gjithmonë si një njeri shumë i dashur.
Prehu në paqe Ismet Bellova. Zëri yt i paharruar dhe fisnikëria jote do të jetojnë gjatë në zemrat e atyre që u rritën duke të dëgjuar. Do të të kujtoj gjithmonë me respekt dhe mall.
