Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

LAJME

Mbahen punimet e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së, anëtarët marrin vendime të rëndësishme & miratojnë raportet financiare

Shkruar nga NEWSPORT
Mbahen punimet e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së,
Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e FSHF-së

Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e FSHF-së zhvilloi punimet sot në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, me pjesëmarrjen e delegatëve, anëtarëve dhe përfaqësuesve të institucioneve kombëtare e ndërkombëtare të futbollit.

Në këtë aktivitet morën pjesë Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, përfaqësuesi i FIFA-s, Marco Ferri, dhe ai i UEFA-s, Jozef Kliment.

Punimet e Asamblesë u hapën nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili në fjalën e tij theksoi se Federata është e vendosur të çojë përpara zhvillimin e futbollit shqiptar me përkushtim, integritet dhe vizion afatgjatë.

“Por çdo strategji, çdo projekt, çdo ambicie kërkon më shumë sesa ide dhe plane. Kërkon vullnet. Kërkon guxim për të marrë vendime dhe përgjegjësi për t’i çuar deri në fund. Ne nuk flasim për progres. Por e udhëheqim atë! Dhe kjo nis këtu, në Asamble, të gjithë bashkë, si gjithmonë përkrah njëri-tjetrit, pa dyshim edhe duke kritikuar kur është rasti, por gjithmonë me synimin për të ecur përpara.

Futbolli nuk është pronë e askujt, por përgjegjësi e të gjithëve! Ai kërkon besim të ndërsjellë, bashkëpunim konkret dhe angazhim të përbashkët për ta bërë më të fortë, më të drejtë, më konkurrues, më edukues dhe më gjithëpërfshirës.

Ju, të dashur anëtarë të FSHF-së, nuk jeni thjesht dëshmitarë të këtij rrugëtimi – ju jeni bashkautorët e tij!”.

Gjithashtu, Presidenti i FSHF foli edhe ndryshimi i ligjit për sportin propozuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sporteve, duke bërë thirrje që të merren parasysh kërkesat e ekspertëve të qeverisë së futbollit. “Ai ligj i propozuar synon të krijojë një arbitrazh sportiv klientelist, aspak të pavarur dhe jo profesional. Në emër të organizatës më të madhe sportive në vend, i bëj thirrje për reflektim MAS-së, Komisionit Parlamentar dhe Parlamentit, që mos ta votojë atë ligj. Por të bashkëpunojmë me të gjitha federatat sportive, grupet e interesit dhe të prodhojmë një paketë ligjore që do t’i shërbejë zhvillimit të sportit!”, tha Presidenti Duka, teksa dha edhe një lajm të mirë për klubet e Kategorisë “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë.

“Do të rrisim me 30% të ardhurat nga komercializimi dhe në vitin 2026, të shpërndajmë 3 milionë euro për klubet e Kategorisë Superiore dhe të Parë, si mbështetje direkte financiare për përmirësimin e funksionimit të tyre”.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, theksoi rëndësinë e futbollit si sporti më i dashur për shqiptarët dhe veçoi organizimin e suksesshëm të Kampionatit Europian U-17 “Shqipëria 2025”, për herë të parë në vendin tonë.

“Asambleja është një moment i rëndësishëm reflektimi, bilancesh dhe padyshim vizioni për të ndarë për të ardhmen e futbollit shqiptar. Futbolli është sporti më i dashur për shqiptarët dhe një forcë e madhe përbashkimi, në të njëjtën kohë një instrument i fuqishëm i edukimit, integrimit dhe zhvillimit social.

Arritjet janë të shumta në vitet e fundit dhe dua të përmend një ndër aktivitetet ndërkombëtare që zhvilluam në Shqipëri, Kampionatin Europian U-17, ku Shqipëria jo vetëm mori pjesë, por gjithashtu u bë një pikë e rëndësishme e destinacionit për aktivitete ndërkombëtare të futbollit, duke treguar që di të organizojë dhe të mirëpresë aktivitete të mëdha ndërkombëtare.

Jam e kënaqur që së bashku me Presidentin Duka kemi një plan për të krijuar klasat sportive të futbollit në një prej shkollave të reja në Durrës, “Benardina Qerraxhia”. Gjithashtu kemi një plan për zhvillimin e shkollës së mjeshtërisë sportive “Loro Boriçi”, – tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Përfaqësuesi i FIFA-s, Marco Ferri, përcolli përshëndetjet e Presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, dhe rikonfirmoi mbështetjen për FSHF-në, veçanërisht përmes programit FIFA Forward. Ai përgëzoi Presidentin Duka për projektet e realizuara dhe vlerësoi sukseset e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

“Ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta të Presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, si dhe të Sekretarit të Përgjithshëm të FIFA-s, Matthias Grafström.

Jam këtu për të theksuar angazhimin e FIFA-s përkrah Federatës Shqiptare dhe Presidentit të saj në mënyrë që:

të krijojmë mundësi të reja të lidhura me futbollin në të gjithë vendin
t’u mundësojmë sa më shumë fëmijëve, djemve dhe vajzave, të luajnë futboll në kushtet më të mira
të mbështesim Federatën në zbatimin e vizionit të saj strategjik, duke u siguruar që ne të mund ta zhvillojmë më tej lojën e bukur në nivelin elitar, por edhe në të njëjtën kohë në nivelin bazë. Njëra nuk mund të ekzistojë pa tjetrën.
Në këtë drejtim, do të doja të nënvizoja marrëdhënien e shkëlqyer midis FIFA-s dhe administratës së FSHF-së. Kjo marrëdhënie na jep mundësinë tani të punojmë së bashku në projekte kyçe zhvillimi që lidhen me zhvillimin e infrastrukturës, si dhe promovimin e futbollit, në veçanti përmes programit tonë FIFA Forward, që është programi më i madh i zhvillimit të sportit në botë.

Dua gjithashtu të shfrytëzoj këtë rast për të përgëzuar Presidentin Duka për kontributi e tij të gjatë në krye të Federatës, për lidershipin e tij të fortë dhe, më e rëndësishmja, për të gjitha projektet e zbatuara ndër vite, veçanërisht në aspektin e infrastrukturës dhe performancave sportive: ne ende kemi në mendje, për shembull, kualifikimin historik në finalet e Euro 2016, i ndjekur nga kualifikimi në Euro 2024 (e kam ende në memorie atë sfidë emocionuese kundër Kroacisë).

Duke folur për fushën, ju uroj gjithë të mirat në kualifikueset e Kupës së Botës 2026, ku mund të dëshmojmë një fillim të mirë me një vend të dytë në fazën e grupeve për momentin, në një grup mjaft konkurrues me skuadra të forta. Prandaj, ne ende mund të besojmë në kualifikimin e parë të Shqipërisë për një fazë finale të Kupës së Botës. Kjo është e gjitha që ju uroj!”, – tha përfaqësuesi i FIFA-s, Marco Ferri.

Përfaqësuesi i UEFA-s, Jozef Kliment, vlerësoi zhvillimin e shpejtë dhe të qëndrueshëm të FSHF-së kryesisht në vitet e fundit në të gjitha aspektet. Gjithashtu, Kliment nënvizoi se FSHF ka dëshmuar se i ka të gjitha kapacitetet dhe aftësitë për të organizuar evente europiane. Nuk mungoi një falënderim i drejtëpërdrejtë për Presidentin Duka për ndërtimin e themeleve të forta të futbollit në Shqipëri nën drejtimin e tij.

“Është shumë e rëndësishme që futbolli evropian të vazhdojë të jetë një model bashkimi në këtë botë gjithnjë e më të ndarë. Të bashkuar qëndrojmë dhe të bashkuar do të vazhdojmë të qëndrojmë. Politikanët ndërtojnë mure, futbolli ndërton ura. Shembulli më i mirë i kësaj është organizimi i Kampionatit Europian U-21 në vitin 2027 nga dy vende të të njëjtit rajon – Serbia dhe Shqipëria – si simbol i rolit të futbollit në nxitjen e bashkëpunimit rajonal.

Nuk është rastësi që UEFA i beson kapaciteteve të FSHF-së. Ju i keni dëshmuar tashmë aftësitë tuaja organizative, si edhe cilësinë e infrastrukturës, së fundmi në maj me organizimin e Kampionatit Evropian U17 të UEFA-s 2025, si edhe me disa turne zhvillimorë të UEFA-s gjatë vitit 2024. Dhe, për të mos harruar, “Arena Kombëtare” në Tiranë ishte skena e finales inauguruese të UEFA Europa Conference League mes Romës dhe Feyenoord-it në vitin 2022.

FSHF është një nga federatat më të qëndrueshme dhe me zhvillim më të shpejtë në Europë. Gjatë viteve të fundit janë bërë shumë ndryshime, dhe federata juaj vazhdon të ecë përpara në zhvillimin e të gjitha niveleve të futbollit, nga baza te elita, me fokus kryesor në krijimin e një infrastrukture më të mirë për gjeneratat e ardhshme.

Për të përmendur disa prej projekteve tuaja strategjike: duhen përgëzuar nismat si projekti “100 fushat”, projekti “Uniforma ime” dhe platforma dixhitale “Federata Ime”, të cilat tregojnë përkushtimin e FSHF-së ndaj zhvillimit të futbollit bazë dhe gjithëpërfshirjes. Jemi të lumtur që edhe fondet nga Programi HatTrick i UEFA-s kontribuan në realizimin e këtyre projekteve të suksesshme dhe që këto mjete janë përdorur në mënyrë efektive dhe të mençur.

Të gjitha këto përpjekje kanë sjellë rezultate edhe në performancën e Kombëtares tuaj, që u kualifikua për herë të parë në historinë e saj në UEFA EURO 2016. Në vitin 2024, Kombëtarja juaj mori sërish pjesë në turneun final, një vlerësim i progresit të jashtëzakonshëm që ka bërë FSHF në zhvillimin e ekipeve konkurruese dhe përmirësimin e përgatitjes teknike.

Për të gjitha këto arritje, dëshiroj të falënderoj presidentin tuaj në emër të gjithë familjes së futbollit europian. I dashur Armand, ajo që ke arritur gjatë këtyre 23 viteve në drejtimin e FSHF-së, si edhe si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s që nga viti 2019 (dhe në rolin e zëvendëspresidentit që nga viti 2023), është thjesht e jashtëzakonshme.

Sigurisht, nuk ka qenë një rrugë e lehtë, por falë udhëheqjes tënde, ke arritur të ndërtosh themelet e forta të futbollit në Shqipëri për vitet në vijim, duke u fokusuar në përfshirjen e më shumë fëmijëve në futboll, zhvillimin e garave dhe ndërtimin e infrastrukturës që ofron një përvojë të shkëlqyer futbolli. Urime dhe faleminderit për gjithçka”, – tha përfaqësuesi i UEFA-s, Jozef Kliment.

Më tej, Presidenti Duka, sipas rendit të ditës, ftoi nënkryetarin e Komisionit të Verifikimit, Ervin Sherifaj, për të raportuar mbi mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme në përputhje me Statutin. Në bazë të nenit 28 të Statutit, përbëhet nga 33 anëtarë, të përfaqësuar nga 47 delegatë, respektivisht 22 klube të futbollit profesionist dhe po aq delegatë nga futbolli amator, si dhe 3 delegatë për shoqatat e profesioneve të lidhura me futbollin.

Nga verifikimi i kryer nga Komisioni i Verifikimit, në këtë asamble, nga 47 delegatë, ishin prezentë 44 delegatë të klubeve e shoqatave anëtare të FSHF. Komisioni i Verifikimit, mbështetur në Statutin e FSHF dhe Rregulloren e Asamblesë, vëren se thirrja e Asamblesë së Përgjithshme është kryer në përputhje me Statutin e FSHF dhe konform afateve të përcaktuara.

Sipas Statutit, u kërkua që anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të miratonin rendin e ditës. Më tej, u vijua me zgjedhjen e delegatëve për të verifikuar procesverbalin e kësaj asambleje, ku Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, propozoi tre emrat: Ardian Takaj, Donald Mziu dhe Krenar Alimehmeti, të cilët u votuan nga delegatët e pranishëm në Asamble. Më pas u votuan edhe delegatët e propozuar si vëzhgues të Asamblesë: Besnik Kapllanaj, Gerald Burba dhe Ilirjan File.

Në vijim, anëtarët votuan për përjashtimin e Shoqatës së Mjekësisë Sportive, e cila nuk është funksionale dhe në përputhje me ligjin.

U përzgjodh Komisioni i Verifikimit për një mandat dyvjeçar: Rozeta Shira (Kryetare), z. Ervin Sherifaj (anëtar) dhe z. Andi Skënderi (anëtar).

Sipas rendit të ditës, Asambleja vijoi punimet duke miratuar procesverbalin e Asamblesë së kaluar, raportin e aktivitetit të FSHF-së për periudhën ndërmjet dy asambleve 2024/25, prezantuar raportin financiar të FSHF për vitin 2024, raportin e auditorëve të pavarur dhe të jashtëm, ratifikimin e buxhetit të FSHF-së për vitin 2025, miratimin e buxhetit për vitin 2026.

Gjithashtu, u miratuan disa ndryshime në Statut që synojnë qartësimin, përmirësimin teknik dhe harmonizimin e dispozitave ekzistuese të Statutit. Ndryshimet përfshijnë saktësimin e emërtimeve ligjore të shoqatave anëtare, përmirësimet gjuhësore dhe redaktime për qartësi më të madhe, si dhe rregullime që lidhen me përfaqësimin, përbërjen e organeve statutore dhe transparencë institucionale.

U votua RSM Albania Sh.p.k. si auditues të pavarur dhe të jashtëm për vitin financiar 2025.

U zgjodhën anëtarët e Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve, që janë: Alban Nako, Skerdian Kurti, Brunilda Jani, Dritan Petova, Doriana Çeliku, Dritan Dema, Astian Ramaj, Sadleva Bodo, Borama Mustafaraj, Ermir Godaj, Erinda Meli, Jeronima Lulashi, Besjan Kadiu, Gerti Zela, Genc Cifligu.

Në asamble, anëtarët votuan për pranimin e dy shoqatave si anëtare të FSHF-së: Shoqata e re e Mjekëve Sportivë dhe Fizioterapistëve dhe Shoqata Shqiptare e Futsallit dhe Minifutbollit.

Në pikën e fundit të rendit të ditës, anëtarët votuan për pezullimin pa afat të gjitha marrëdhënieve juridike të FSHF me KOKSH, deri në momentin kur:

– Gjendja e ligjshmërisë të rikthehet;

– Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv të zbatohet plotësisht; dhe

– KOKSH të veprojë në përputhje me statutin e vet dhe normat ndërkombëtare të vetëqeverisjes së sportit.

Me miratimin e të gjitha këtyre pikave, u mbyllën edhe punimet e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së.

 

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga