Në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, po mbahet Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e FSHF, 2026. Gjatë kësaj Asambleje, ka mbajtur fjalën e tij edhe kreu i Federatës, Armand Duka. Kreu i FSHF-së e mbylli fjalën e tij duke treguar ambiciet e mandatit të ardhshëm, teksa fton të gjithë klubet dhe të gjithë ata që kontribuojnë në futbollin shqiptar, që të bashkëpunojnë sa më shumë për zhvillim.
“Mandati i ardhshëm duhet të mbështetet në vizionin afatgjatë dhe vendimet e rëndësishme. Me respekt të plotë për rregullat dhe lojën, vetëm kështu mund të ndërtojmë një sistem të besueshëm dhe të qëndrueshëm. FSHF është e gatshme ta udhëheqë këtë proces, por suksesi nuk është individual, kërkon angazhim nga të gjithë klubet, institucionet, futbollistë, trajnerë, qeveri, arbitra dhe tifozë. E ardhmja e futbollit nuk ndërtohet me retorikë, por me punë dhe seriozitet.
Do të punojmë fort, do të kemi rezultate të shkëlqyera vetëm nëse do të jemi bashkë. Personalisht vlerësoj punën e madhe nga ju, besoj tek ju, tek gjithë njerëzit e futbollit. Ju falënderoj shumë për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme. Mirënjohje pafund për të gjithë ata që kontribuojnë në futbollin shqiptar. Uroj një Asamble të mbarë, progres të vazhdueshëm për futbollin shqiptar”, mbylli fjalën e tij kreu i FSHF-së.
