
Edicioni i dytë i kursit për Drejtorin Teknik të Akademive, i organizuar nga FSHF në vendin tonë, nisi më 2 qershor. I ftuar nderi në sesionet e para të këtij kursi ishte Roberto Samaden, përgjegjës i Sektorit të të Rinjve te Atalanta, si dhe koordinator i sektorit për zhvillimin e futbollit të të rinjve në Departamentin Teknik të Federatës Italiane të Futbollit.
Samaden prezantoi për kursantët strategjitë dhe metodologjitë e klubeve të mëdha evropiane, duke ndarë gjithashtu përvojën e tij mbi 30-vjeçare në fushën e futbollit.
Në një prononcim për fshf.org, ai u shpreh i nderuar për ftesën për të marrë pjesë si lektor në këtë kurs dhe theksoi se po ndjek me interes projektin për zhvillimin e futbollit të të rinjve në Shqipëri. Samaden tha se ky projekt kërkon kohë për të dhënë rezultatet e para, por në plane afatmesme dhe afatgjata do të sjellë përmirësim të ndjeshëm në futbollin për të rinjtë në vend.
“Jam Roberto Samaden dhe jam përgjegjës i Sektorit të të rinjve te Atalanta, si dhe koordinator i sektorit për zhvillimin e futbollit të të rinjve në Departamentin Teknik të Federatës Italiane të Futbollit. Jam i nderuar të jem këtu si i ftuar nga FSHF dhe falënderoj Presidentin Duka, i cili më kishte përfshirë edhe vitin e kaluar në aktivitetet e Federatës.
Kam një admirim të madh për atë që po bën Federata Shqiptare dhe po ndjek me interes projektin e zhvillimit, veçanërisht te të rinjtë. Besoj se investimi që Federata ka filluar të bëjë prej vitesh dhe që po e bën akoma më shumë tani, do të sjellë rezultate, sepse lojtarët janë. Fakti që tani FSHF ka vendosur të investojë edhe në formimin e përgjegjësve të sektorit të të rinjve, ashtu siç ka bërë ajo italiane prej disa vitesh, është një hap shumë i rëndësishëm.
Nuk do të sjellë rezultate të menjëhershme, por padyshim që në afate mesatar dhe të gjata do të sjellë përmirësim të sistemit të futbollit për të rinjtë në Shqipëri. Dhe besoj se ekzistojnë të gjitha kushtet për ta bërë këtë, sidomos kur ka një President si Presidenti Duka, i cili beson dhe investon në këtë drejtim” – tha Roberto Samaden për fshf.org.
Roli i Drejtorit Teknik të Akademisë është thelbësor, pasi është ura që lidh Federatën me akademitë dhe klubet në të gjithë vendin.