Ka përfunduar me sukses finalja e Kupës së Kampionit në futbollin amator 5×5 për Zonën Rajonale Tiranë. Në ndeshjen vendimtare, Dymbëdhjeta 5×5 triumfoi minimalisht 1-0 ndaj ATS 5×5, duke siguruar trofeun pas një përballjeje të luftuar dhe me ritëm të lartë.
Finalja e zhvilluar në Kompleksin Koldashi ofroi rivalitet sportiv dhe organizim të mirë, duke reflektuar angazhimin e vazhdueshëm për zhvillimin dhe promovimin e aktiviteteve amatore të futbollit. Të dyja skuadrat treguan shpirt gare, ndërsa momenti vendimtar i ndeshjes ishte goli i Kacës që i dha fitoren ekipit Dymbëdhjeta 5×5, që u shpall kampione e këtij edicioni.
Në përfundim të ndeshjes u zhvillua edhe ceremonia tradicionale e ndarjes së medaljeve dhe trofeut. Specialisti i futbollit amator në FSHF, Erald Muça, i dorëzoi skuadrës kampione Dymbëdhjeta 5×5 trofeun dhe medaljet, duke përmbyllur në mënyrë festive këtë edicion të kompeticionit.
