Federata e Futbollit ka zhvilluar një workshop në kuadër të procesit të licensimit të klubeve, me pjesëmarrjen e klubeve aplikante për licencë në kompeticionet e UEFA-s dhe FSHF-së.
Aktiviteti u organizua nga Departamenti Ligjor dhe i Licensimit të Klubeve në kuadër të programit të UEFA-s “Procesi i Licensimit të Klubeve” për sezonin 2026/27 dhe u drejtua nga Menaxheri i Licensimit të Klubeve në FSHF, Eduard Gjini. Të pranishëm ishin ekspertët e të gjitha kritereve të licensimit, si edhe përfaqësues të klubeve të “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë.
Nga ana e klubeve aplikante morën pjesë drejtorët dhe financierët e secilit klub. Workshopi nisi me prezantimin e ekspertëve të kritereve dhe përfaqësuesve të klubeve, ndërsa më pas u diskutuan çështjet dhe problematikat e evidentuara deri në këtë fazë të procesit të licensimit.
Gjatë takimit u trajtuan gjithashtu ndryshimet në Rregulloren e re të licensimit të klubeve, afatet për dorëzimin e dokumentacionit fizik dhe online, si edhe afatet e vendimmarrjes për sezonin e ri 2026/27.
