
Në “Shtëpinë e Futbollit” u zhvillua sot festivali i futbollit si pjesë e aktivitetit “Futbolli në Shkolla” të UEFA-s, me pjesëmarrjen e veçantë të Presidentit të UEFA-s, Aleksander Čeferin, Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, dhe të gjithë anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.
Presidenti Duka e nisi prononcimin me një falënderim të veçantë për Presidentin e UEFA-s, Aleksander Čeferin. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar e cilësoi këtë moment historik si një vlerësim i punës së madhe të bërë nga komuniteti i futbollit në vend për zhvillimin e futbollit në Shqipëri.
“Do të doja të falënderoja publikisht Presidentin e UEFA-s, z. Aleksander Čeferin, për vendimin që mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të bëhet në Tiranë. Ky është një vlerësim jo vetëm për Federatën e Futbollit, por për të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar. Një vlerësim i bashkëpunimit të Federatës së Futbollit me UEFA-n dhe respekt i punës së komunitetit të futbollit shqiptar. Nuk është thjesht një mbledhje, është një event duke përfshirë edhe aktivitetin e sotëm, festivalin e futbollit ku besoj se në memorien e fëmijëve do të mbetet gjatë dhe do të jetë një objektiv më shumë për t’iu bashkuar lojës tonë”, – tha Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.