Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

LAJME

FSHF organizon mbrëmjen me vullnetarët, Presidenti Duka: Ju falënderoj, jemi bërë një trup i vetëm në organizimin e aktiviteteve futbollistike

Shkruar nga NEWSPORT
FSHF organizon mbrëmjen me vullnetarët, Presidenti Duka: Ju
Djemtë dhe vajzat të cilët janë pjesë e rrjetit të vullnetarëve të FSHF-së

Për të dytin vit radhazi, Federata e Futbollit organizoi eventin e veçantë për të gjithë djemtë dhe vajzat të cilët janë pjesë e rrjetit të vullnetarëve të FSHF-së, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Vullnetarizmit.

Një tjetër vit i suksesshëm për futbollin shqiptar nuk do të ishte i mundur pa përkushtimin dhe punën e palodhur të tyre. Gjatë vitit 2025, për herë të parë në histori, nën organizimin e FSHF-së dhe UEFA-s, u zhvilluan finalet e Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025”. Rreth 200 vullnetarë u angazhuan në organizimin e fazës finale nga 19 maji deri më 1 qershor, duke kontribuar në një organizim historik dhe tejet të suksesshëm.

Vullnetarët janë pjesë e pandashme e Federatës dhe janë prezentë në çdo aktivitet dhe event të organizuar.

Rreth 100 vullnetarë ishin pjesë e këtij aktiviteti special të organizuar në stadiumin “Air Albania”, ndërsa në event morën pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku, Drejtori Administrativ i FSHF, Aldi Topçiu dhe anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF, Anila Basha.

Presidenti Armand Duka, i cili nuk mundi të ishte i pranishëm për shkak të pjesëmarrjes në ceremoninë e hedhjes së shortit të Botërorit 2026 në Uashington D.C., i përshëndeti vullnetarët përmes një video-mesazhi.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar i falënderoi të gjithë për bashkëpunimin e vazhdueshëm me FSHF-në dhe theksoi se Federata do të vazhdojë të punojë ngushtë me vullnetarët në organizimin e aktiviteteve sportive në vend.

“Të nderuar vullnetarë, bashkëpunëtorë të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe e gjithë administrata që jemi mbledhur sot në Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit. Dua t’ju falënderoj për pjesëmarrjen sot, por në të njëjtën kohë dua t’ju falënderoj për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Federatën e Futbollit. Bashkëpunim i cili vërtet ka nisur në vitin 2022 në organizimin e finales së Conference League në Tiranë dhe ka vazhduar, është konsoliduar dhe ne tashmë jemi pothuajse një trup i vetëm në organizimin sa më të mirë të aktiviteteve sportive futbollistike në Shqipëri.

Unë ju ftoj që ta vazhdoni, jam i bindur që do ta vazhdoni. Vullnetarizimi është një kulturë mbase jo shumë e zhvilluar në vendin tonë. Ju jeni “dallandyshet” e para të vullnetarizimit në Shqipëri. Unë jam shumë i lumtur që edhe Federata e ka përkrahur dhe shtyrë këtë projekt dhe ju garantoj që ne do të kemi të njëjtën mbështetje, të njëjtin bashkëpunim dhe të krijojmë sa më shumë bashkëpunime të tilla në të ardhmen.

Njerëzit në përgjithësi janë mësuar që të punojnë me shpërblime. Në rastin konkret vetë Dita e Vullnetarizmit Ndërkombëtar dhe vetë ju, dhe për këtë duhet t’ju falënderojmë akoma më shumë.

Duke qenë se jemi edhe në ditët e fundit të vitit, unë ju uroj nga zemra: Gëzuar festat e fundvitit! Gëzuar Vitin e Ri dhe një vit sa më të mbarë 2026!”, – tha Presidenti Duka.

Poll

Lexo gjithashtu