Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

LAJME

FSHF forcon rolin ndërkombëtar, Tirana mikpret Workshopin Rajonal të UEFA-s për Licensimin e Klubeve (VIDEO)

Shkruar nga NEWSPORT
FSHF forcon rolin ndërkombëtar, Tirana mikpret Workshopin Rajonal
Workshopi Rajonal i UEFA-s për Licensimin e Klubeve

Federata Shqiptare e Futbollit, në bashkëpunim me UEFA-n, po organizon në Tiranë Workshopin Rajonal të Licensimit të Klubeve, një aktivitet me rëndësi strategjike për zhvillimin dhe profesionalizimin e futbollit europian.

Në këtë workshop dyditor marrin pjesë përfaqësues nga 19 federata anëtare të UEFA-s, të cilët po trajnohen nga ekspertët më të lartë të UEFA-s mbi standardet, kriteret dhe proceset e licensimit të klubeve, me fokus harmonizimin e praktikave dhe rritjen e cilësisë së menaxhimit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

FSHF u përfaqësua nga Drejtori Administrativ, Aldi Topçiu, së bashku me stafin e administratës së licensimit, duke riafirmuar angazhimin e Federatës për zbatimin e standardeve më të larta të qeverisjes dhe transparencës në futbollin shqiptar.

Gjatë ditës së parë u diskutua mbi përditësimin dhe harmonizimin e standardeve të licensimit në rajon, proceset procedurale, protokollet përkatëse, kriteret infrastrukturore dhe sportive, si dhe pasqyrimin financiar të klubeve, elemente thelbësore për garantimin e stabilitetit dhe profesionalizmit në futboll.

Në një prononcim për FSHF.org, Drejtori i Licensimit të Klubeve në UEFA, Aleš Zavrl, vlerësoi organizimin dhe rëndësinë e këtij workshopi:

“Jemi shumë të lumtur që jemi në Tiranë për Workshopin Rajonal të UEFA-s për Licensimin e Klubeve, së bashku me përfaqësues të 19 federatave anëtare të UEFA-s, pra nga 19 vende të Europës.

Workshopet e licensimit të klubeve janë një pjesë shumë e rëndësishme e shkëmbimit dhe ndarjes së praktikave më të mira në rrjetin e licensimit të klubeve nga UEFA. Ky workshop këtu, së bashku me mbështetjen e madhe të Federatës Shqiptare të Futbollit, do të sjellë padyshim shumë aspekte pozitive për ciklin e radhës së licensimit të klubeve.

Fillimisht, duke ndihmuar federatat për të implementuar proceset e licensimit të klubeve në nivel kombëtar apo klubet për të hyrë në garat e UEFA-s, por nga ana tjetër, duke ndihmuar klubet në ligat kombëtare për të rritur standardet dhe për t’u zhvilluar në një mënyrë pozitive, me qëllim rritjen e profesionalizmit të futbollit europian.

Të gjitha këto workshope janë për ne një shkëmbim shumë i rëndësishëm mes ekspertëve nga federata të ndryshme, sepse në fund të fundit ne punojmë së bashku me federatat, ligat dhe klubet për një futboll europian më të mirë”, – tha Zavrl.

Organizimi i këtij eventi në Tiranë përfaqëson një tjetër moment të rëndësishëm në kalendarin e aktiviteteve ndërkombëtare të zhvilluara në Shqipëri, duke dëshmuar pozicionimin e FSHF-së si një aktor aktiv dhe i besueshëm në strukturat e futbollit europian.

Poll

Lexo gjithashtu