
Në kuadër të aktiviteteve zhvillimore të “Elite Youth Development Academy”, FSHF organizoi një takim të hapur me futbollistët e rinj të akademisë, ku i ftuar special ishte Bekim Balaj, ish-sulmues i Kombëtares shqiptare dhe lojtari aktual i Vllaznisë.
Aktiviteti kishte në fokus motivimin e talenteve të reja përmes shembujve konkretë dhe të suksesshëm. Gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë, Balaj ndau përvojën e tij si futbollist profesionist, që nga fillimet në Shkodër e deri te paraqitjet me fanellën kuqezi, përfshirë pjesëmarrjen historike në “Euro Francë 2016”.
Ai theksoi rëndësinë e punës së përditshme, përkushtimit dhe durimit, duke u dhënë të rinjve disa këshilla praktike për rrugën që i pret.
Pas diskutimit, futbollistët e akademisë patën mundësinë të zbresin në fushë për një seancë stërvitore ndryshe. Bekim Balaj, së bashku me trajnerin e Kombëtares U-14, Francesco Vitobello, zhvilluan një seancë të përbashkët, duke sjellë një eksperiencë të veçantë për të rinjtë.