
Federata e Futbollit dhe Bashkia Kamëz kanë nisur menjëherë bashkëpunimin për ndërtimin e fushës së re në Valias, si pjesë e projektit të FSHF “100 fushat”.
Në kuadër të këtij investimi madhor, Presidenti Armand Duka zhvilloi një vizitë në Valias, ku u njoh nga afër me ambientin ku do të ndërtohet fusha dhe inspektoi nga afër punimet.
Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar ishte i shoqëruar në këtë vizitë nga kryetari i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, dhe deputetja Lindita Nikolla.
Në fjalën e tij, Presidenti Duka, falënderoi Bashkinë e Kamzës për bashkëpunimin dhe theksoi rëndësinë e investimeve në terrene sportive për fëmijët. Ai u shpreh se objektivi kryesor është edukimi përmes sportit dhe rritja e numrit të fëmijëve që luajnë futboll. Presidenti Duka nënvizoi se FSHF është e hapur të bashkëpunojë me bashkitë dhe sektorin privat për ndërtimin e më shumë terreneve sportive në gjithë vendin.
“Të falënderoj për bashkëpunimin. Ne kemi kohë që kemi biseduar për këtë dhe kemi filluar projektin. Në fakt, Kamza në hartën e terreneve sportive është një nga zonat më të zhvilluara për arsye sepse ne kemi një qendër dikur të ekipeve Kombëtare me tre fusha dhe tani e kemi kaluar në menaxhim të futbollit të fëmijëve për të luajtur të gjithë fëmijët e zonës për t’u stërvitur dhe për të zhvilluar ndeshje.
Me këtë investim këtu do të pasqyrohen akoma më shumë. Tani objektivi jonë është që të kemi fëmijë më shumë që luajnë futboll. I joni, i përbashkët dhe i të gjithëve sepse futbolli është në radhë të parë edukim pastaj garë. Ne më shumë kemi prioritet edukimin.
Të falënderoj vërtetë që kemi bashkëpunuar për këtë terren sportiv dhe padyshim që ne jemi të hapur që të vazhdojmë dhe të kemi akoma më shumë, dhe në këtë shembull të futemi edhe në Tiranë, sepse me thënë të drejtën Tirana që ka dendësinë më të madhe, por edhe Kamza që është një bashki me shumë popullsi, kemi mungesë inventari të fushave sportive.
Nuk e di ndoshta për arsye sepse terreni kushton më pak këtu, apo për arsye sepse kryetari është më i zoti këtu, këtë nuk e di, por kështu është fakti. Ne jemi të gatshëm me ju padyshim, me çdo lloj njësie vendore, por jo vetëm, edhe me shoqëri private, mjafton që të ndërtojmë terrene sportive.
Ne nuk është se kërkojmë asnjë të drejtë menaxhimi, vetëm të ndërtojmë terrene sportive, t’i vendosim në dispozicion të fëmijëve, të edukojmë futbollistë dhe të prodhojmë futbollistë”, – tha Presidenti Duka.
Kryetari i Bashkisë Kamëz, Rakip Suli, falënderoi Presidentin Duka dhe Federatën e Futbollit për mbështetjen dhe bashkëpunimin për ndërtimin e këtij terren të ri sportiv. Ai theksoi se objektivi kryesor është përfshirja e sa më shumë fëmijëve në aktivitetet sportive dhe investimi i vazhdueshëm në sport për zhvillimin e komunitetit.
“Në radhë të parë të falënderojmë sinqerisht për mbështetjen, që nga pjesa e projektit dhe hap pas hapi, sepse normalisht eksperienca ka pjesën e vet, eksperiencën stafi juaj e ka shumë më të lartë, sepse për ne është për herë të parë që ndërtojmë stadiumin në Bashkinë e Kamzës. Qëllimi është përfshirja e sa më shumë fëmijëve që të merren me aktivitete sportive dhe jo pa qëllim ne jemi fokusuar te investimi përsa i përket sportit.
Këto janë dy fushat e stërvitjes që do të realizohen dhe stadiumi. Stadiumi është realizuar me të gjitha përmasat e FIFA-s, siç kemi komunikuar me stafin tuaj”, – tha Kryetari i Bashkisë Kamëz, Rakip Suli.
Deputetja Lindita Nikolla falënderoi Presidentin Armand Duka dhe Kryetarin e Bashkisë Kamëz, Rakip Suli, për investimin në infrastrukturën sportive, duke e cilësuar atë një mundësi të vlefshme për të rinjtë dhe sportdashësit e komunitetit. Ajo theksoi se ky projekt do t’i japë një frymëmarrje të re jetës futbollistike në Kamëz.
“Doja t’ju falënderoja Presidentin dhe Kryetarin e Bashkisë, padyshim, për këtë xhevahir për të rinjtë e këtij komuniteti, por jo vetëm, edhe për sportdashësit që do të vijnë këtu për të shijuar aktivitetin. Është një sipërmarrje shumë e mirëpritur nga komuniteti, që do t’i japë një frymëmarrje të re gjithë jetës futbollistike në Bashkinë Kamëz”, – tha Lindita Nikolla.