Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e FSHF po mbahet në “Shtëpinë e Futbollit”, teksa nisi me 1 minutë heshtje për të nderuar të gjithë legjendat shqiptare që kanë ndërruar jetë.
Ndërkohë më pas Armand Duka, mori fjalën, teksa shpehet se:
“I nderuar zoti Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Blendi Gonxhe,
I nderuar Zëvendës president i UEFA-s, miku ynë i dashur dhe President i Federatës Italiane të Futbollit, z. Gabriele Gravina,
I nderuar Drejtor i Zhvillimit të Federatave Kombëtare në UEFA, z. Denis Bastari,
I nderuar Drejtor për Federatat Anëtare në FIFA, z. Elkhan Mahmadov, si dhe Koordinator Rajonal për Evropën i Federatave Anëtare, z. Marco Ferri,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve,
Të dashur miq, partnerë, sponsorë dhe përfaqësues të medias,
Shumë të nderuar anëtarë të FSHF, Zonja dhe zotërinj,
Ju falënderoj për pjesëmarrjes sot në Asamblenë e Përgjithshme të Federatës Shqiptare të Futbollit, rëndësia e së cilës është e padiskutueshme për komunitetin e futbollit shqiptar dhe për të gjithë ata që besojnë se sporti, dhe veçanërisht futbolli, është një mjet i fuqishëm zhvillimi shoqëror, edukimi dhe bashkimi.
Asambleja e Përgjithshme është vendi ku ne reflektojmë me përgjegjësi, ku bëjmë bilancet, jo vetëm ato financiare, por të të gjithë veprimtarisë sonë, dhe ku përcaktojmë qartë vizionin dhe objektivat tona për të ardhmen.
Ajo që na bashkon është pasioni dhe dashuria për lojën e bukur të futbollit. Por për ta zhvilluar atë, për ta afruar sa më shumë me njerëzit dhe për të zgjeruar komunitetin tonë, pasioni nuk mjafton,
Nuk mjafton as dëshira. Nuk mjafton as puna.
Puna dhe përkushtimi japin rezultat vetëm kur shoqërohen me profesionalizëm, me efikasitet në vendimmarrje dhe me një organizim të qartë institucional. Vetëm kur jemi të bashkuar, solidarë dhe të fokusuar në të njëjtin drejtim, energjitë tona pozitive kthehen në zhvillim konkret.
Dhe pikërisht këtu qëndron forca jonë: tek uniteti, solidariteti dhe pozitiviteti që na ka shoqëruar në çdo etapë të rrugëtimit tonë.
Ne jemi pjesë e një loje që në themelet e saj ka respektin — respektin për rregullin e lojës, për kundërshtarin sportiv, për shokun e skuadrës dhe për mendimin ndryshe. Futbolli është pasion dhe emocion; reagimet pas një ndeshjeje janë të natyrshme. Por as mendimi ndryshe dhe as deklaratat e nxitura nga emocioni nuk kanë cenuar ndonjëherë themelet tona institucionale.
Sepse themelet tona nuk janë të brishta. Ato janë ndërtuar mbi përgjegjësi, transparencë dhe një vizion të qartë për zhvillimin afatgjatë të futbollit shqiptar.
Raportimet që do të paraqiten sot në Asamble do të tregojnë se efikasiteti i drejtimit të FSHF-së gjatë vitit 2025 ka qenë në të njëjtin nivel me periudhat më të suksesshme të saj. Stabilitet financiar, investime të qëndrueshme, zhvillim i infrastrukturës dhe mbështetje për futbollin në çdo nivel janë rezultate konkrete, jo deklarata.
Sepse futbolli nuk rritet me emocione të momentit, por me strategji, me planifikim dhe me qëndrueshmëri.
Kampionatet tona kanë ndryshuar ndjeshëm. Sot ato janë shumë më të shumtë në numër e të shtrira në të gjithë territorin e Shqipërisë, si në nivel kombëtar, ashtu edhe rajonal.
Ne mund të jemi e vetmja federatë në Europë, që jo vetëm organizojmë të gjithë garat profesioniste e amatore, kombëtare e rajonale, por edhe mbulojmë të gjitha kostot për organizimin e tyre, për arbitra, delegatë, vëzhgues, zyrtarë ndeshjesh, tashmë edhe për teknologjinë VAR, që është një kosto shumë e shtuar për FSHF
Por jo vetëm këto, ne mbështesin edhe me bazë materiale, duke financuar 100% të topave të futbollit në të gjitha nivelet e garave dhe 95 % të uniformave të lojës dhe stërvitore për të gjithë futbollistët e futbollistet që luajnë në vendin tonë.
Çdo javë, në Shqipëri zhvillohen qindra ndeshje kombëtare e rajonale për djem dhe vajza duke arritur edhe mbi 600 në periudha piku. Sot, në sistemin tonë janë të regjistruar 27.866 persona – lojtarë, trajnerë, arbitra dhe vëzhgues. Dhe kemi më shumë futbollistë se kurrë më parë 24.183.
Kjo është dëshmi e qartë dhe konkrete e kujdesit dhe përkushtimit tonë ndaj lojës të bukur, ndaj profesionistëve e amatorëve, futbollit cilësor e atij të masës. Ky është një realitet që shpesh mbetet i padukshëm, por që përbën thelbin e ekzistencës së futbollit shqiptar.
Garat kombëtare të organizuara nga Federata kanë dëshmuar një nivel konkurrues dhe profesional të admirueshëm. Kampionatet profesioniste si Abissnet Superiore dhe Kategoria e Parë kanë ofruar rivalitet të vërtetë sportiv, me garë të hapur deri në ditën dhe minutat e fundit, duke rikthyer emocionin dhe besueshmërinë e rezultateve në fushë.
Implementimi i formulës “Final 4” në Kategorinë Abissnet Superiore ka rezultuar një hap i menduar dhe i guximshëm, që ka shtuar intensitetin, interesin mediatik dhe vlerën sportive të kampionatit, duke krijuar një kulm sezoni dinjitoz dhe të denjë për standardet europiane. Një garë e hapur deri në minutat e fundit e që njëkohësisht ka sjellë më shumë të ardhura për klubet.
Megjithatë, përtej progresit organizativ dhe sportiv, sfida jonë e përbashkët mbetet rritja e pranisë së spektatorëve në stadiume. Futbolli merr kuptim të plotë vetëm kur tribunat janë të gjalla, kur komuniteti bëhet pjesë e lojës dhe kur klubet ndërtojnë një lidhje të qëndrueshme me tifozët e tyre. Kjo është një përgjegjësi kolektive: e Federatës, e klubeve dhe e aktorëve të tjerë të futbollit për ta kthyer stadiumin në një hapësirë feste, përkatësie dhe krenarie kombëtare.
Natyrisht, në një sistem me kaq shumë aktivitete dhe gara, ka mendime ndryshe. Ka debate për formatet, për organizimin, për vendimmarrjet në fushë dhe për arbitrimin. Këto janë të natyrshme në një garë të gjallë. Por këto nuk duhet të na largojnë nga fokusi ynë kryesor: pasioni për lojën dhe progresin e saj.
Futbolli është emocion, është rivalitet, është rezultat. Por rezultati nuk duhet të na ndajë më shumë se 90 minuta, ndoshta edhe pak më shumë pas rënies së bilbilit. Më pas, të gjithë mbetemi pjesë e të njëjtës familje.
Sepse kur ndërtohen alibi duke goditur lojën, arbitrat apo vetë garën, ne nuk dëmtojmë një individ apo një vendim, dëmtojmë produktin tonë të përbashkët. Dëmtojmë besimin. Dhe kur dobësohet besimi, dobësohet i gjithë ekosistemi i futbollit.
Mbrojtja e imazhit të futbollit nuk është kufizim i fjalës; është përgjegjësi institucionale dhe morale ndaj sportit që përfaqësojmë.
Të gjithë duam të fitojmë. Të gjithë duam të dalim kampionë. Por në një ndeshje fiton vetëm një skuadër, ashtu si në një kampionat. Kjo është natyra e garës.
Ne i zhvillojmë këto gara në një realitet jo të lehtë: me infrastrukturë ende të paplotë, me burime financiare të kufizuara dhe në një ekonomi që ka sfidat e saj. Dhe megjithatë, falë përkushtimit, sakrificës dhe pasionit tuaj – të nderuar drejtues klubesh dhe akademish – futbolli shqiptar jo vetëm që mbahet në këmbë, por rritet dita ditës.
Prandaj dua të ritheksoj një çështje thelbësore: nevojën jetike për miratimin e ligjit të sponsorizimit. Ky ligj nuk është privilegj për sportin. Është një instrument zhvillimi. Ai nxit investimet, formalizon marrëdhëniet financiare, rrit transparencën dhe krijon mundësi reale për të rinjtë, për komunitetet dhe për ekonominë në tërësi.
Miratimi i tij do të ishte një hap strategjik për t’i dhënë sportit shqiptar një bazë më të qëndrueshme financiare dhe për të shumëfishuar ndikimin pozitiv që futbolli dhe aktivitetet sportive sjellin në shoqëri.
Ne kemi punuar intensivisht për përmirësimin e infrastrukturës.
Në katër vitet e fundit janë investuar 16.503.145 euro në projekte infrastrukturore — nga të ardhurat tona, nga mbështetja e FIFA dhe UEFA, si dhe në bashkëpunim me bashki, klube, akademi dhe qeveri. Si rezultat, janë ndërtuar 40 fusha të reja dhe janë ri konstruktuar apo janë në proces rikonstruksioni 7 stadiume në të gjithë vendin.
Këto janë investime konkrete, të prekshme, që mbeten si asete për brezat e ardhshëm.
Por duhet ta themi qartë: përpjekjet tona, burimet tona financiare dhe kapacitetet tona organizative nuk mund të jenë kurrë të mjaftueshme për të ndërtuar një infrastrukturë moderne kombëtare pa një mbështetje më të gjerë institucionale.
Sporti dhe futbolli duhet të trajtohen si prioritet publik. Dhe këtu roli i Qeverisë Shqiptare është thelbësor.
Sot, Shqipëria ka një fushë futbolli për 18.981 banorë. Mesatarja europiane është një fushë për rreth 3.800 banorë. Ky hendek është i madh dhe nuk mund të mbyllet me iniciativa të fragmentuara. Ai kërkon një strategji kombëtare për sportin, të koordinuar, afatgjatë dhe të financuar në mënyrë të qëndrueshme.
Ne do të vazhdojmë të bëjmë maksimumin tonë përmes punës së përbashkët, përkushtimit dhe rritjes së besueshmërisë së institucionit tonë për ta fituar këtë mbështetje dhe për ta kthyer zhvillimin e infrastrukturës në një prioritet kombëtar.
Sepse infrastruktura nuk është luks. Është themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja e futbollit shqiptar.
Futboll është luajtur gjithmonë. Por futbolli modern kërkon profesionistë.
Dhe pikërisht këtë e kemi vendosur si prioritet: ndërtimin e një sistemi të mirëfilltë edukimi dhe certifikimi për të gjitha specialitetet që i duhen progresit të lojës sonë : trajnerë, drejtorë sportivë, administratorë, mjekë sportivë, fizioterapistë, etj.
Jo shumë vite më parë, Shqipëria nuk kishte asnjë autoritet kombëtar që trajnonte dhe certifikonte profesionistët e futbollit. Numëronim me gishtat e dorës 2–3 trajnerë të licencuar jashtë vendit, kryesisht në Coverciano në Itali.
Sot realiteti është krejt tjetër.
Me dëshmi dhe njohje të plotë nga UEFA, kemi edukuar dhe formuar:
216 trajnerë me licencë UEFA Pro
563 trajnerë me licencë UEFA A
828 trajnerë me licencë UEFA B
497 trajnerë me licencë UEFA C
377 profesionistë të tjerë: mjekë sportivë, drejtorë teknikë e sportivë, trajnerë atletikë, fizioterapistë, video-analistë, skautë dhe specialistë të tjerë të lidhur me performancën.
Këto nuk janë thjesht statistika. Këto janë kapacitete njerëzore që ndryshojnë cilësinë e lojës në çdo nivel.
Shkolla e Federatës nuk është vetëm një mekanizëm licencimi. Ajo është një platformë e përhershme bashkëpunimi, ku njerëzit e futbollit shkëmbejnë eksperiencë, ide dhe praktika më të mira jo vetëm gjatë ditëve të kursit, por gjatë gjithë periudhës.
Paralelisht, kemi punuar për futboll për të gjithë: nga programet në shkolla për vajza dhe djem, te futbolli amator, futbolli në rërë dhe futsali. Sepse zhvillimi nuk është vetëm elitar; është gjithëpërfshirës.
Identifikimi dhe zhvillimi i talenteve nuk është më proces spontan. Programi “Elite Youth Academy” ka krijuar një sistem të strukturuar monitorimi dhe vlerësimi, duke u dhënë talenteve më të mira mundësi reale për t’u zhvilluar në kushte optimale, me standarde bashkëkohore.
Ky është ndryshimi mes një futbolli që mbijeton dhe një futbolli që ndërton të ardhmen.
Një nga prioritetet tona kryesore ka qenë dhe mbetet futbolli i të rinjve dhe fëmijëve, aty ku ndërtohet e ardhmja e futbollit shqiptar dhe ku formohen jo vetëm lojtarë, por edhe qytetarë të denjë për shoqërinë tonë. Zonat rajonale kanë luajtur një rol kyç në këtë proces, duke afruar futbollin me komunitetet lokale dhe duke krijuar mundësi për fëmijët në çdo cep të Shqipërisë. Pavarësisht se ky investim nuk jep rezultate të menjëhershme, ai është thelbësor për suksesin e të ardhmes.
Kemi punuar fort për të forcuar prezencën tonë ndërkombëtare përmes punës, seriozitetit dhe rezultateve konkrete.
Nga një përfaqësim minimal vite më parë, sot Shqipëria ka:
21 arbitra me stemën e FIFA
5 delegatë dhe 2 vëzhgues ndërkombëtarë
9 përfaqësues në komitetit e UEFA-s
2 përfaqësues në komisionet e FIFA-s
Ky nuk është vetëm një sukses numerik. Është dëshmi e besimit që institucionet më të larta të futbollit europian dhe botëror kanë ndaj profesionalizmit dhe integritetit tonë.
Shqipëria është afirmuar si partner serioz dhe i besueshëm në familjen europiane dhe botërore të futbollit.
Vetëm në vitin 2025 kemi organizuar 10 turne europianë : 5 për djem dhe 5 për vajza. Pas suksesit në organizimin e finales së parë historike të UEFA Europa Conference League në vitin 2022, në vitin 2025 organizuam me sukses turneun final të Kampionatit Europian U-17 dhe po përgatitemi për një tjetër ngjarje madhore: Kampionatin Europian U-21 në vitin 2027.
Pse jo, nesër edhe një finale të Superkupës Europiane në 2028.
Këto nuk janë thjesht evente. Janë investime në imazhin e vendit, në ekonominë lokale dhe në pozicionimin e Shqipërisë si destinacion i besueshëm për organizimin e ngjarjeve të mëdha sportive.
Paralelisht, kemi qenë seriozë në prezantimin dhe realizimin e projekteve pranë FIFA, UEFA, Bashkimit Europian dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, duke sjellë në jetë projekte madhore investimesh që kanë rritur kapacitetet tona infrastrukturore dhe administrative.
Loja jonë nuk është vetëm sport. Ajo është një instrument i fuqishëm për përmirësimin e shoqërisë sonë.
Në mënyrë të qëndrueshme dhe në rritje, ne jemi orientuar drejt ndikimit social të futbollit përmes projekteve konkrete dhe të matshme. Vetëm gjatë vitit 2025 kemi zhvilluar 6 aktivitete me ndikim të drejtpërdrejtë shoqëror, duke adresuar çështje të përfshirjes, barazisë dhe solidaritetit.
Jemi gjithashtu organizata e parë sportive në vend që kemi ndërtuar një sistem të strukturuar vullnetarizmi, me rreth 100 vullnetarë aktivë. Ky nuk është vetëm një model organizimi, por një kulturë e re pjesëmarrjeje qytetare përmes sportit.
Rreth 2.500 persona marrin pjesë në aktivitetet tona amatore 5×5 dhe 9×9, përfshirë ekipet kombëtare amatore dhe ekipet për persona me aftësi ndryshe. Këto iniciativa trajtohen me përkushtim dhe dinjitet, sepse për ne përfshirja nuk është slogan — është standard.
Futbolli ka fuqinë të bashkojë, të edukojë dhe të krijojë mundësi. Dhe ne kemi zgjedhur ta përdorim këtë fuqi me shumë përgjegjësi.
Ekipet Kombëtare mbeten vitrina më e dukshme e punës sonë dhe pika ku bashkohen emocionet e gjithë shqiptarëve. Në këto vite kemi forcuar identitetin tonë futbollistik, kemi rritur respektin ndërkombëtar dhe kemi krijuar një ndikim real sportiv dhe financiar për futbollin shqiptar.
Ne sot numërojmë 15 ekipe kombëtare vajza dhe djem, nga 15-vjeçarët e deri në ekipet e para.
Kemi zgjeruar përfaqësimin në garat ndërkombëtare në të gjitha kompeticionet ndërkombëtare për vajza e djem duke bërë performanca e rezultate të kënaqshme në rritje.
Vajzat e ekipit tonë kombëtar kane bërë një progres të jashtëzakonshëm, mjafton të kujtojmë se kemi garuar për herë të parë në nivelet internacionale në vitin 2010 e sot bëjmë pjesë në Ligën B të UEFA Nations League dhe kemi garuar në play-off për të qenë pjesë e Euro 2025 në Zvicër.
Ndërsa ekipi ynë kombëtar i djemve është kthyer në simbol kombëtar, në krenari kombëtare, në dashuri kombëtare. Në gjithë historinë tonë të para viteve 2000 kemi tentuar, kemi bërë aty këtu edhe ndonjë performancë apo rezultat pozitive, por përsëri jemi renditur të fundit në grup, përjashto kualifikueset e Euro 1996 ku u renditëm të parafundit në grupin 7 me pikë të barabarta me Uellsin, por me golavarazh më të mirë.
Sot pasi kemi luajtur dy Europianë kemi objektiv të luajmë edhe një Botëror.
Arritja në play-off për Kupën e Botës 2026 është rezultat i një procesi të ndërtuar me stabilitet, durim dhe besim te filozofia jonë e punës”, ka theksuar Duka.
