Në prag të ndeshjes historike Poloni – Shqipëri, ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Rudi Vata ka folur për “Vizion Plus”. Sipas Vatës, forma jo e mirë momentale e disa lojtarëve kuqezinj, duhet të kompensohet me vetëbesim. Ndër të tjera, Vata e cilëson këtë ndeshje si më të rëndësishëm e historisë së futbollit shqiptar.
“Kjo është ndeshja më e rëndësishme e historisë së futbollit shqiptar. Bëhet fjalë për një ndeshje e cila ne na jep edhe një shans tjetër. Është një ndeshje e rëndësisë së veçantë. Është ndeshje e përgjegjësisë shumë të madhe. Në jemi një Kombëtare që po rritemi si shtet dhe si Kombëtare. Momentalisht nuk kemi formën më të mirë të lojtarëve elitarë dhe me peshë.
Bajrami te Gllasgou Rejnxhërsi nuk ka kaluar një sezon të mirë. Hysaj, kapiten dhe zv. kapiten, gjithashtu edhe ai te Lazio nuk ka marrë minutazhin e duhur. Asllani gjithashtu ka pasur defiçite. Broja, lojtari kryesor i sulmit. Lojtar te i cili i gjithë ekipi kombëtar ka pasur shpresa dhe ka pasur mendimin se mundej të na çonte në nivelet më të larta. Gjithashtu edhe ai nuk ka kaluar momente të mira këtë sezon te klubi i Bërnlit.
Jemi një Kombëtare pak a shumë e plagosur mund të them. Për këtë lloj ndeshje duhet një lloj energje e zgjedhur dhe shumë e fortë. Duhet shumë besim në vetvete dhe të jemi trima në fushë, sepse do të jetë një stadium i tejmbushur me tifozë polakë. Jam i bindur që polakët do të nisin ndeshjen me tempo të lartë dhe presion. 25 minutat e para janë shumë të rëndësishme, që skuadra të mos pësojë gol. Do të ishte fatale nëse do të pësonim në 25 minutat e para”, tha Rudi Vata.
