MotoGP po shqyrton skenarë të ndryshëm për zhvillimin e Çmimit të Madh të Katarit për shkak të tensioneve në rajon pas konfliktit me Iranin. Gara është planifikuar nga 10 deri më 12 prill, por zhvillimet e fundit e bëjnë gjithnjë e më të pasigurt zhvillimin sipas kalendarit.
CEO i MotoGP-së, Carmelo Ezpeleta, deklaroi se organizatorët janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet në Katar dhe se ekziston edhe një plan alternativ.
“Është shumë e vështirë që të jemi në Katar më 12 prill, por nuk mund të them tani se nuk do të shkojmë”, u shpreh ai për mediat.
Një nga opsionet që po shqyrtohet është edhe zhvendosja e garës në fund të sezonit, duke riorganizuar kalendarin. Megjithatë, një vendim i tillë mund të sjellë një ngjeshje më të madhe të garave në muajt e fundit të kampionatit.
