Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

OPINION

OPINION/ Vdiq SKËNDERBEU, rroftë SKËNDERBEU, vriteni SKËNDERBEUN!

Shkruar nga NEWSPORT
OPINION/ Vdiq SKËNDERBEU, rroftë SKËNDERBEU, vriteni

Nga Retin TOKA

"Klubi i futbollit "Skënderbeu" do të përjashtohet për 10 vitet e ardhshme", ky ishte lajmi që u përhap me "shpejtësinë e erës" në vendin tonë. Akuza e ngritur nga inspektorët e UEFA-s për klubin korçar, duket se mori vendimin pa trup gjykues dhe vulë nga të gjithë analistëte sportdashësit shqiptarë që për një çast veshën të gjithë pelerinën e gjyqtarit.

Ende pa u mbledhur organet kompetente, ne e dhamë verdiktin tonë, madje atë finalin: "Atje të kalbet se e meriton"... Por, në të vërtetë a e meriton një skuadër si Skënderbeu një dënim kaq të rëndë? Disa mund t'i përgjigjen kësaj pyetje pa një, pa dy, megjithatë një moment i tillë që rrezikon të trondisë themelet e futbollit shqiptar do dhe meriton pak qetësi.

Në mendje të vjen menjëherë komedia shqiptare: "Vdiq Mbreti, Rroftë Mbreti". Dikush fajëson atë që ka ndodhur më parë, ndërsa një tjetër mendon se asnjë drejtues aktual nuk e rregullon dot situatën dhe kështu shtyhen edhe disa vite. Ka të tjerë që kërkojnë gjithmonë të gërrmojnë më tej, ndoshta dhe me synime të qarta. Çdokush kërkon një karrige, jo thjesht për t'u ulur, por për të drejtuar, të paktën mendohet se do të bëhet më mirë. E kjo komedi i shkon për shtat më së miri Skënderbeut.

Jo më shumë se dy vite më parë të gjithë folën, u hidhëruan, por kishte dhe nga ata që u gëzuan për përjashtimin e Skënderbeut për një vit nga Kupat e Europës.

"E meriton, ka shitur ndeshje", ishin frazat më të shpeshta që dëgjoje nga sportdashësit shqiptarë. Në atë moment Skënderbeu "vdiq" për të gjithë dhe "mbreti" ishte Partizani pasi gjeti një arenë të përgatitur për të luajtur në Champions League. Ëndrra e kuqe nuk zgjati më shumë se katër javë, ndofta nuk ishin mësuar ende me aromën e Kupave të Europës. Sezoni i ri do të vinte shumë shpejt dhe kampion nuk ishte Skënderbeu, por Kukësi. Verilindorët ashtu si të kuqtë patën një rrugëtim të shkurtër, megjithatë provuan magjinë e Champions League. Ndërsa Skënderbeu? Vijoi punën në kualifikueset e Europa League. Përfundimi? "Ilir Daja e ka përfeksionuar Skënderbeun. Korçarët po na nderojnë gjithmonë", ishin dy frazat që dëgjoje më shpesh. Dhe papritur të gjithë u ndjemë krenarë dhe nën zë: "Rroftë Skënderbeu".

Çdo sportdashës shqiptar, çdokush që është i rritur me futbollin shqiptar ishte apo edhe është i ndërgjegjshëm që Skënderbeu është ekipi i momentit në Shqipëri. Dikush thotë që duket mirë sepse nuk ka rivalë, por në fazën e grupeve të Europa League, ekipi korçar luajti si i barabartë me skuadra europiane. Të gjithë i hoqën "kapelen", madje dhe të huajt shkruanin me superlativa për Skënderbeun e Shqipërisë.

Po tashmë? Krejt papritur Skënderbeu është skuadra që na ka "nxirë faqen", ka trukuar shumë ndeshje dhe duhet të dënohet. "Po, po të dënohet! Madje të shkojë në Kategori të tretë!", dëgjon të thuhet gjithëkund. Si është e mundur që e harruam kaq shpejt bukurinë e lojës korçare, krenarinë që ndjemë kur u kualifikuan në fazën e grupeve? Apo, apo kur luajtën si të barabartë me Partizanin e Beogradit të Serbisë? Eh, sa shpejt harrojmë.

Trukimi nëse PROVOHET nuk mund të JUSTIFIKOHET me asnjë mjet. Dhe dënimi të jetë maksimal. Por, në një moment të tillë a nuk do të ishte më mirë të prisnim verdiktin final? Skënderbeu është në prag të greminës, ndërsa ne? Jemi aty për të vënë shkelmin e fundit. Parardhësit tanë kanë luftuar për shekuj me radhë që të jemi një popull i bashkuar. Historia tregon që rreth 500 vite më parë, teksa Skënderbeu lëngonte në shtrat, i tregoi nipit që thuprat të bashkuara nuk mund të thyheshin, ndërsa një e nga një "PO".

Por e kotë! Ajo thjesht mbetet në histori e mund të lexohet për të shuar disi kuriozitetin. Sepse sot, ne na bashkon vetëm Partia dhe inatet e mllefet me njëri-tjetrin na lënë në "vend-numëro". Skënderbeun një herë e vdiqëm, një herë u krenuam, e tashmë duam ta vrasim...

Tags:

OPINION

Poll

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga