Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

OPINION

Ca fjalë mbi basketbollin, 22 pikë për 40 minuta!

Shkruar nga NEWSPORT
Ca fjalë mbi basketbollin, 22 pikë për 40 minuta!
Rezultati i ndeshjes (m) & Gerti Çarçani (d)

Nga Gerti Çarçani

U desh, nuk e di pse një postim “entuziast” i FSHB-së, mbi një humbje dërrmuese të Serbisë karshi 20-vjecareve të koshit, që më tej, me të drejtë apo pa të drejtë të lëshohej tërë dynjaja të fliste për këtë shifër, që as rezultat nuk mund të konsiderohet. Dikush madje, kishte hapur edhe librin e shtëpisë, madje, kish harruar vetëm “motrën” të shante për të gjithë ata që guxuan në të drejtën e tyre të quanin me gjithfarlloj epitetesh këtë rezultat, për hir të së vërtetës aspak dinjitoz. Përtej anës serbe që postoi këtë sukses, nuk e kuptoj ende se kush ishte ajo mendje e ndritur që, në mes të vapës, plazhit, start gushtit gjykoi që të ofronte për publikun në rrjete sociale një rezultat tërësisht për të ardhur keq.

Në fakt, ata që duhej të reagonin të parët ishin dhe janë ata që konsiderohen apo vetëshpallen, edhe si kokat e mëdha të basketbollit ndër vite, për ti dhënë një kontur më amortizues kësaj paraqitjeje në publik.
E për hir të së vërtetës nuk është rezultati i parë ky në këto nivele bastarde, ka patur edhe vite më parë, por këtë radhë mori më shumë konotacion pasi kundërshtari ishte Serbia, por edhe sepse vetë FSHB e serviri në tabakanë e saj sociale. Ku taktikisht edhe mund ta shmangte. Sepse kështu ishte në fakt.
Për të ardhur në skanimin e plotë se: “Përse na rrahin e s’na lanë me qajt?”. Pavarësisht se kush, pse këto rezultate, e përse këto çirrje më pas për një situatë të tillë.

FSHB ndër vite e ka konsideruar sukses një recetë të tillë organizimi, për të vetmen arsye: “Sepse ka zgjedhur primare pjesëmarrjen, se sa kualitetin”. Pra, mjafton të marrim pjesë, pavarësisht se si dalim. Dhe këtë e dikton edhe skema: Federata lekë s’ka (e në të vërtetë s’ka e s’ka), nëse doni ekip kombëtar moshash, gjeni lekë, bëni ekipin, merrni pjesë, arrini çfarë mund të arrini. Dhe një skemë e tillë ka ardhur, edhe si pasojë e mungesës së financimit real, pasi shteti çon në Koksh 2.5 milionë euro për basketbollin e aq për volejbollin dhe Federatat mbesin me nga një 100-she vjetore buxheti dhe me premtimin e vetë ish-basketbollistit dinamovit që në takimin e fundit elektoralo-sportiv në investimin e FSHF-së, teksa i fliste me nostalgji Pjerinit që kish përballë, federatave u thoshte: “E di që vuani për lekë, por, më mirë do të bëhet! Dhe ata u mbushën këtu! U mbushën shumë me oksigjen premtues se më e mira do të bëhet!”

Por, përtej parave që janë jetike, skema e diktuar ç’proporcionale në raportin masivitet-cilësi, prej vitesh ka sjellë në ndërtimin e disa skuadrave që diktohen nga burimi i financimit, e që reflektojnë më pas në parketin e turpërimit. Rezultatet më tej janë spektakolare, sepse është vjelur ajo që është korrur, e thjeshtë. Në fushë luan çuni i babit, fjala që bie, gocë e mamit, djali i hallës, çuni i shokut, djali i djalit të bosit, që befas një ditë shndërrohen në një kualitet “të frikshëm” sportiv për të veshur fanellën e ekipit kombëtar! Përfundimi: 116-22, por mbase ka pas edhe më keq, por më keq se kaq nuk ka ku shkon.
Ndoshta në anën e tij trajneri, apo team-menageri i ekipit në fjalë do të thoshte: “Në vend të më falenderoni që gjeta investimin, ngrita ekipin, mora pjesë në garë, pa asnjë lekë nga shteti e federata, tani më kërkoni edhe rezultate…”

E ndoshta këtu për një moment edhe rri pak stand-bye, paçka se vetë nuk arrij dot kurrë ta kuptoj që në 4 perioda lojë, në 40 minuta në total kohë basketbolli, një ekip kombëtar të shënojë 22 pikë, ose 5.5 pikë në një period 10 minutëshe. Pyeta një mikun tim ish-basketbollist se në 10 minuta lojë sa sulme mund të ndërtohen në total në këto nivele, që ne kemi në basket dhe kur e zotërojmë ne topin. Për një periodë diku te 20-25 sulme më tha. E për këtë ne nxorrëm 5.5 pikë. Vërtetë kaq mundësi kemi të bëjmë në një 10-minutësh lojë? 5.5 pikë? Nuk e besoj kurrë. Edhe në këtë nivel që kemi, edhe në këtë standart të ngritur të ekipeve kombëtare: Financoje vetë dhe merr pjesë!

Për arsye menaxheriale, apo financuese mbase nuk mund ta atakohet stafi teknik i kësaj kombëtareje, por, për 22 pikët në 40 minuta lojë basketbolli, teknikisht dhe profesionalisht ato duhet të japin një shpjegim, për të mos u mjaftuar vetëm me alibinë: Shteti ka braktisur sportin etj etj etj. Teknikisht, a ka një shpjegim? Mendoj që duhet të ketë, përtej slloganit të vazhdueshëm e të përhershëm që: Këtë nivel kemi, kaq takat kemi, më shumë se kaq nuk shkojmë e lloj lloj turlirash të tjera për të mbuluar atë që nuk mundet dot të mbulohet.

E një shpjegim të tillë duhet ta japin ata që I kanë dhënë zë basketbollit, siç edhe thuhet, në formën e një rekomandimi, këshillimi, apo edhe shprehje opinioni, për të çuar një zë deri te presidenca e FSHB-së: Avni! Nuk shkon më ky mekanizëm përfaqësimi! Pavarësisht dëgjon apo nuk dëgjon zoti Ponari.
Këta zëra tani evokojnë të kaluarën e viteve të vajgurit, kur me nostalgji të madhe proklamojnë triumfe “universalë” asokohe në basketbollin e meshkujve. Që personalisht nuk më rezulton që basketbolli i asaj kohe të këtë triumfuar në europë e botë në europianë, apo botërorë në ato vite. Për aq përfaqësim sa I kishte lënë edhe sistemi. Volejbolli po, me Ela Tasen e madhe e Moza Ibrahimin e profesor Tartarin, por basketbolli? Nuk di të ketë mrekulluar dynjanë në europë e botë. Po nejse histori tjetër. Kemi mbetur ende te 75-75 që mbase edhe vetë i zoti i punës e ka harruar…!

Sot hodha unë ca rreshta mbi këtë sistem të ekipeve kombëtare të basketbollit, por zëri më kritik i mbetet njerëzve të fushës ti kushtojnë pak kohë edhe këtij sporti, që siç thonë i kanë dedikuar jetën e tyre. Të lënë për një moment tik-tokun e plazhit teksa u del “pa dashje” ndonjë shalë porto-rikaneje, apo ndonjë meme politike, por edhe ndonjë aksion për lirimin e hapësirave publike, e të merren pak për këtë gjë që siç shpesh thonë kanë lënë gjakun dhe jetën. Sepse në këtë mënyrë do të frenojnë “diarrenë” e rrjeteve sociale, dhe do të orientojnë gjithollogët për rezultate të tilla të basketbollit të moshave në ekipet tona kombëtare!

Në mënyrë që, në një rrugë, apo tjetër ato ti japin një argument më shumë presidentit të basketbollit që ta rishohë me urgjencë këtë mekanizëm të ekipeve kombëtare. Ose, ose të rrimë të gjithë bashkë në të njëjtin oborr “masturbimi”, e të themi pas ndeshjes: Djali (vajza) miku, shoku, luajti sot në mënyrë të shkëlqyer, ishte në ditën më të mirë. Na rrahën me 50 pikë, po çfarë rëndësie ka. Rëndësi ka që dëfrehen, por mbi të gjitha që e kanë mësuar himnin më mire, se edhe vetë ata..! Me këtë sistem realisht jemi mirë: Vetëm përpara!

Poll

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga