
Nga Retin TOKA
Vitet e fundit më ka pëlqyer të qëndroj larg sportit. Jo sepse më josh më shumë politika, por sepse më pëlqen të qëndroj në realitet, në aktualitet. Jam pasionant i së vërtetës, megjithatë asesi nuk mund të rri pa shkruar dy fjalë si tifoz i hershëm i futbollit shqiptar për një dhe të vetmin që ka luksin të amplifikojë zhurmat dhe të bëjë një trup të vetëm gjithë shqiptarët, pa dallim profesionesh.
Flas për Agustin Kolën. Për “Agushin”, që edhe pse nuk kam pasur fatin ta ndjek, isha vetëm 6 vjeç kur ai la futbollin, gjithmonë ka qenë një emër që më është përmendur me respekt pothuajse të shenjtë nga ata që e kanë parë të luajë. Një emër që ka kaluar nga goja në gojë si simbol i elegancës, pasionit dhe karakterit.
Prej disa ditësh, lajmet që vinin nga QSUT ishin të vështira. Kola ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore për shkak të problemeve me stomakun. Dhe, për herë të rrallë, gjithë vendi u ndal. Nuk kishte më rëndësi nëse ishe tifoz i Tiranës apo i ndonjë skuadre tjetër. Ishte momenti kur kupton se disa njerëz nuk i përkasin vetëm një ngjyre. Ata janë kujtesë e përbashkët e gjithë futbollit shqiptar.
Fatmirësisht, sot lajmet janë më të mira. Agustini ka dalë nga reanimacioni dhe bashkë me lajmin është kthyer fryma e lehtësimit. Ai vetë, nga spitali, ka dërguar një mesazh të shkurtër, por që natyrisht prek: “Jam shumë mirë, ju dua shumë. Pa ju çfarë do të isha unë?!”
Në këto pak fjalë, Kola tregoi sërish atë që e ka dalluar gjithmonë: thjeshtësinë, mirënjohjen dhe dashurinë për njerëzit. Jo për lavdinë, por për njerëzit. Dhe ndoshta pikërisht për këtë, ai ka mbetur në kujtesë si më shumë se një futbollist, si një njeri që bashkon.
Unë nuk jam rritur duke parë Kolën, por jam rritur duke dëgjuar për të. Dhe për më tepër nga babai si tifoz I kuq, nga të afërmit, nga çdo tavolinë ku flitej për futbollin e vjetër. Dhe çdo herë e njëjta gjë: “S’ka pasur dhe s’do ketë një Agustin të dytë”. Ndoshta kjo është arsyeja pse edhe sot, kur ai kaloi një moment të vështirë, reagimi ishte aq i madh. Sepse në kujtesën kolektive, Agustin Kola është i pakrahasueshëm.
Në një kohë kur sporti po humbet shpirtin mes shifrave, marketingut dhe statuseve, figura si e tij vlejnë më shumë se çdo trofe. Janë kujtesë e një periudhe kur futbolli ishte pasion, jo industri.
E natyrisht në këto pak rreshta më pëlqen ta mbyll duke i uruar shërim të shpejte një embleme si Agustin Kola, personifikim i esencës së futbollit të mirë dhe bio të futbollit shqiptar. Sepse ka disa njerëz që nuk plaken kurrë, as në kujtime, as në dashurinë e atyre që nuk i kanë parë asnjëherë të luajnë, por i ndjejnë sikur kanë qenë aty, në çdo rrjetë të tundur, në çdo duartrokitje.