
Ishte viti 1998 kur Shqipëria në futboll arriti një rezultat të madh jashtë fushe kundër një kundërshtari të rëndësishëm dhe të njohur në Europë. Ishte një barazim 2-2 që kuqezinjtë merrnin në Norvegji kur në një moment edhe kryesonte gjatë ndeshjes. Para 20 viteve u trumpetua me të madhe pikërisht ky barazim dhe aty u duk se Shqipëria kishte 'brumë' dhe se mund t'ia dilte. Dhe Shqipëria ia doli dhe e tregoi këtë me kualifikimin në Euro 2016.
Por, a ishte ai kualifikim vetëm një meteor në qiellin e madh të futbollit ? Sot para pak orësh u mundëm pikërisht nga Norvegjia me rezultatin 0-1 në 'Elbasan Arena'. Me të vërtetë një ndeshje miqësore dhe ajo që shqetëson në të vërtetë është loja mediokër që shfaqi kombëtarja. Me të vërtetë ne nuk kemi qenë kurrë Brazili apo Spanja, por të paktën një herë e kemi goditur portën dhe madje i kemi shënuar edhe ekipeve si Portugalia, Hollanda apo edhe Franca e ndonjë kombëtare tjetër presigjoze.
Sot na u duk se u kthyem pikërisht 20 vite pas dhe shkuam edhe njëherë në kohën kur Shqipëria në Europë konsiderohej si një ndeshje dhe një ekip i lehtë. Nga Norvegjia te Norvegjia dhe kombëtarja nuk ngroh ashtu siç ngrohte para 2 vitesh ku na gëzonte e na e bënte zemrën mal me paraqitjet në Francë. Mos vallë këto janë limitet tona dhe ai kualifikim në Francë është thjesht një ëndërr nga e cila tashmë duhet të zgjohemi dhe ti futemi punës që ta realizojmë sërish ?
Trajneri ankohet se ka mungesë të përgatitjes fizike, ankohet për mungesën e aktivizimit të lojtarëve kuqezinjë në ekipet e tyre dhe në fund jep një deklaratë ku thotë se nuk kam 200 lojtarë, në një moment kur Shqipëria ka mundësi më të shumta zgjedhjeje se gjithë në historinë e saj. Duhet që shpejt të gjendet 'defekti' pasi që pas Euro 2016, kombëtarja është në rënie dhe padyshim që kjo është normale pasi kur arrin një kulm është e vështirë që ta mbash, por të paktën të rikthehemi ata që ishim. Ata që 'shndërroheshin' në superyje kur vishin fanelën kuqezi dhe kur dëgjonin himin e flamurit, ata që luftonin në çdo centimetër të fushë dhe ata që sakrifikonin për 90 minuta. /Endri ÇINARI /