
Superliga Shqiptare ka hyrë në javën e katërt të saj dhe kampionati po merr "shpejtësinë" dalëngadalë. Por ajo që shqetëson sërish këtë vit janë sulmuesit që nuk prodhojnë golat. Pikërisht në këto 3 javë të para të kampionatit janë numrat "9" që janë në krizë goli dhe identiteti.
Fillojmë me kampionët në fuqi të Kukësit, ku duket qartazi se sa e vuajnë largimin e Pero Pejić. Këto javë ekipin verior e ka marrë përdore me shënimin e golave Elis Bakaj por që gjithë opinioni e di që ai nuk është një sulmues tipik. Alijev ende nuk po kap ritmin e duhur pavarësisht se ndaj Laçit dha shkëndija pozitive me lojën e tij. Shihet qartë që verilindorët nuk do gjenden aq "rehat" me golin siç ishin me Pejić.
Skënderbeu cilësohet nga shumica si ekipi më i kompletuar dhe që bazohet tek grupi. Pikërisht kjo është ajo që ka shoqëruar në këto javë korçarët ku golat janë shpërndarë mes Lilajt, Muzakës dhe Shkodrës. Sulmuesi i afruar me bujë Soue u zhbllokua vetëm javën e kaluar përballë Partizanit, ndërsa çeku Nespor ende nuk ka bërë debutimin e tij me "ujqërit".
Për të vijuar me Partizani ku të kuqtë janë në "pikë të hallit". Kjo për arsyen se për këtë vit ato nuk kanë shënuar ende dhe të gjithë janë kuriozë se kush do e bëjë sefte te Partizani. Afrimet e bujshme të verës ende nuk kanë gjetur vetveten në kampionatin tonë. Çani është shoqëruar nga problemet e shumta fizike, ndërsa edhe Sukaj nuk ka gëzuar një formë të mirë. Të gjithë presin më tepër nga "demat" duke parë edhe emrat potentë që mban në gjirin e vet. Ndoshta seria e golave do hapet këtë javë me Lushnjen.
As tek ekipet e tjera nuk kanë shkëlqyer dhe shënuar sulmuesit. Duke filluar me Teutën, ku rolin e goleadorit për bregdetarët e kanë luajtur me rradhë nga Lena te Çyrbja apo edhe Dosti me Hilën duke pritur që në ndeshjet në vazhdim zhbllokim të marrin edhe sulmuesit.
Situata është më e "errët" tek Vllaznia ku shkodranët këtë fillim sezoni i falen një autogoli të Lushnjes dhe një goli të Hasanit. Sulmuesit Atsina dhe Ribaj deri në këto momente nuk e kanë shijuar golin.
Laçi këtë vit gjithashtu duket se nuk e ka një pikë referimi. Mensah duket i pazëvendësueshëm për momentin ku edhe mungesa e Reginaldos për arsye dokumentacioni ka lënë një hendek të madh në sulmin kurbinas. Xhixha është ende i ri, megjithëse sinjalet janë pozitive.
Luftëtari aq i bukur i sezonit të kaluar duket që këtë sezon nuk e ka "qejf" sulmuesin e zonës. Goleadori i gjirokastritëve këtë fillim sezoni ka qenë Abazaj, një lojtar tipik krahu. Ndoshta me ardhjen e Shkurtajt ,Luftëtari mund ta zgjidhë problemin e numrit 9, por pas dhjetorit…
Kamza dhe Lushnja, dy të ardhurat nga Kategoria I ende nuk po shijojnë gola nga numrat "9". Ku në njërin krah Kamza me emra si Plaku apo Račič dhe nga krahu tjetër Lushnja me Sefën, Pepën dhe Cankën ende nuk kanë shënuar asnjë gol.
"Sëmundjes" së numrit 9 i shpëton vetëm Flamurtari. Vlonjatët këtë vit duken në rrugën e duhur ku edhe sulmuesit e tyre kanë shkëlqyer. Dyshja Busić-Alves kanë gjetur rrugën e rrjetës ku Busić është aktualisht golashënuesi më i mirë i Superiores me 3 gola.
Kampionatit shqiptar ka vite që i mungojnë emra goleadorësh dhe numrash "9" tipik si Sinani, Fortuzi, Xhafaj, Memelli, Bejzade e shumë e shumë të tjerë ndër vitet e kaluara.
Le të shpresojmë që kjo të jetë java e numrave "9" dhe të shijojmë atë që ka më tepër vlerë në futboll... golin! / NEWSPORT.AL/