
Nga Përparim Kabo
Dje lexova se presidenti i Federatës së Futbollit, zoti Armando Duka ndihej i keqardhur që stadiumit të ri nuk i vinte dot një emër sportisti të shquar. "Duhen fonde për t'u mbajtur gjithë ai impiant", u shpreh ai.
Po sigurisht atje s'do të ketë të ardhura nga kampionati kombëtar çdo javë sepse ka kosto shumë të lartë. Tirana e ka stadiumin e vet, Selman Stërmasin. Partizani po e përmbyll korpusin e vet sportiv. Pra, për një kohë të gjatë ajo gjë e stërmadhe do të jetë bosh.
Nuk ndodh si në Madrid apo Barcelonë që për shkak të historisë së suksesit të ekipeve, stadiumet Bernabeu apo Campnou janë edhe atraksione turistike ku hyhet me pagesë. Ja përse pasi e lindëm fëmijën gjigand, dolëm në treg për t'i shitur dhe blerë emrin.
Të nderuar miq shqiptarë kudo që jemi. Ne mund të bëjmë një gjë ndryshe së bashku. Stadiumin e ri ta pagëzojmë "Arena Kombëtare Kuqezi-Panajot Pano". Ai emri komercial le t'i mebtet tjetër kujt. Historia qoftë ajo e futbollit, është e jona e askujt tjetër.
Nëse ditën për diell na përçudnojnë dhe historinë, mos kërkojmë gjë tjetër veç një ngjitëse të mbyllim, jo gojën, por edhe shpirtin. Mos e gjejmë veten nesër spektaktorë pasivë të historisë me emra komercial.