
Kampionati Europian U-17 “Shqipëri 2025” hyn në fazën më emocionuese, teksa nesër në mbrëmje do të mësohen dy skuadrat finaliste që do të luftojnë për trofeun në finalen e madhe të 1 qershorit. Gjysmëfinalja e parë do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”, në orën 18:00, ku Franca, fituese e Grupit A, do të përballet me Belgjikën, që u rendit e dyta në Grupin B.
Një përballje që pritet të dhurojë emocione dhe spektakël, me praninë e shumë tifozëve në shkallët e stadiumit. Menjëherë pas kësaj sfide, vëmendja do të zhvendoset në Tiranë, ku në “Arenën Kombëtare” do të luhet gjysmëfinalja e dytë, Itali – Portugali.
Një duel spektakolar mes kampionëve në fuqi të Italisë, që shkëlqyen në fazën e grupeve, dhe Portugalisë që megjithëse e mbylli me pikë të barabarta me Francën në Grupin A, u rendit e dyta për shkak të golavarazhit. Gjithçka është gati për këto dy sfida të zjarrta, ndërsa biletat vijojnë të jenë në shitje online në ebileta.al për të gjithë tifozët e interesuar.