Futbolli shqiptar dhe ai në Maqedoninë e Veriut është në zi pas ndarjes nga jeta të Agan Asanit, futbollistit 13-vjeçar nga fshati Çerkez i Kumanovës. Lajmi u bë i ditur nga trajneri i tij, Ismet Zeqiri, përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të lojtarit tonë 13-vjeçar, Agan Asani. Humbja e tij na ka prekur thellë si klub, duke lënë dhimbje të madhe te bashkëlojtarët, trajnerët dhe gjithë familja e KF Kumanova.
Në këto momente të vështira, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Asani, të afërmve dhe miqve. Kujtimi për Aganin do të mbetet gjithmonë në zemrat tona. U prehtë në paqe”, shkroi trajneri Ismet Zeqiri, duke shprehur ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e të ndjerit.
Asani ishte pjesë e KF Kumanovës, ku konsiderohej një talent i ri premtues dhe gëzonte vlerësimin e bashkëlojtarëve dhe stafit teknik. Humbja e tij ka sjellë dhimbje të madhe në klub dhe te të gjithë ata që e njihnin nga afër.
Ndërsa Policia ka njoftuar se i mituri ka ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti rrugor, pasi u përplas nga një automjet teksa po lëvizte me skuter elektrik. Autoritetet bëjnë të ditur se drejtuesi i veturës është arrestuar.
