
Humbja e Shqipërisë kundër Kosovës me rezultatin 3-0, ka nxitur reagime të shumta anë e mbanë vendit. Së fundmi është ish-drejtori i Partizanit dhe i Kukësit, Dritan Dervishi që ka kritikuar trajnerin italian Christian Panucci për mënyrën që zgjodhi të përballej me ekipin e Kosovës.
Shkurtimisht për newsport.al, ai theksoi që tekniku i kuqezinjve duhet të ulet "me këmbë në tokë" dhe t'i shohë gjërat siç janë. Sipas Dervishit skuadra e Shqipërisë me Panuçin nuk ekziston dhe ky është një problem shqetësues sipas tij.
"Nuk më shqetëson fakti që u humb një ndeshje miqësore, por mua më shqetëson fakti që skuadra jonë nuk ekziston më. Këtu nuk e kanë fajin lojtarët, por ka vetëm një përgjegjës, ky është trajneri Panuçi. Nuk mund të përgatitet një ndeshje në këtë mënyrë. Ekipi ishte hedhur në fushë si një tufë delesh në lëndinë.
S'dua të ndaloj shumë në anën taktike pasi nuk ekzistonte, por nuk mund të tolerohet që një trajner zëvendëson lojtarët në minutën e 42-të të pjesës së parë. Ky është ky që ofendon futbollistët? Çfarë kujton ky trajner që ne jemi Livorno apo Ternana? Ky trajner sillet sikur akoma është futbollist.
Shpjegojani që është komplet ndryshe. FSHF të marrë në dorë situatën, të bëjnë një analizë të thellë dhe të marrin masat me qetësi. Për mendimin tim ky trajner nuk është për këtë skuadër dhe pas ndeshjes nuk dëgjova një analizë, por vetëm justifikime dhe kërcënime", tha fillimisht ai.
Më pas Dervishi foli edhe për përfaqësuesen e Kosovës, për të cilën deklaroi: "Fituat një ndeshje miqësore, nuk shkuat në Europian. Mos vazhdoni me ngacmime pasi jemi një komb dhe mos u bëni antipatikë ashtu siç duan armiqtë e këtij kombi", përfundoi ish-drejtori i Partizanit.