
Kombëtarja shqiptare pasditen e djeshme zhvilloi seancën e fundit stërvitore në Leskovac në stadiumin “Dubocica”, aty ku do të luhet sfida me Serbinë. Por ajo që ra në sy dhe që ishte një gjest i turpshëm nga serbët ishte mungesa e flamurit shqiptar në këtë stadium.
Federata e Futbollit të Serbisë nuk kishte preferuar ta vendoste atë në stadium, duke bërë që kjo sfidë të nisë para kohe. Por duket se frika për një dënim apo pezullim për shkak të këtij gjesti ka bërë që në Serbi të pendohen.
Të pyetur nga gazetari i “Top Channel”, Endi Tufa, Federata Serbe ka deklaruar se kanë dashur të evitojnë ndonjë incident nga njerës dashakeqë. Ndërkohë ata “premtuan” se flamuri kuqezi do të jetë nesër prezent në stadium dhe do të vendoset që përpara ndeshjes.
Siç dihet dueli me Serbinë do të luhet në orën 20:45 dhe është i vlefshëm për grupin K në kualifikueset e Kupës së Botës. Fitorja për ekipin tonë është shumë e rëndësishme për të mbajtur vendin e dytë në klasifikim, pozicion që të çon në “Play-Off”.