Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

GOSSIP

Luajti me Kombëtaren dhe Partizanin, ish-gruaja e Eros Grezdës nuk përmbahet: Vjen në Tiranë me partneren, por s'ka kohë për djalin (REAGIMI I NDJERË)

Shkruar nga NEWSPORT
Luajti me Kombëtaren dhe Partizanin, ish-gruaja e Eros Grezdës nuk
Ajsel Abazi & Eros Grezda

Siç dihet prej kohësh, Eros Grezda nuk është më krah Ajsel Abazit. As djali që sollën në jetë nuk i mbajti dot bashkë, ndërsa çifti tashmë është i divorcuar, me ish-futbollistin që vazhdon jetën e tij me një partnere të re.

Mirëpo, reagimi i fundit nga ish-bashkëshortja Grezdës, lë për të kuptuar se marrëdhënia është krejtësisht e “thyer”. Ajsel Abazi ka treguar gjerë e gjatë, duke folur edhe për histori personale, pasi thekson se heshtja nuk është më forcë.

Ndër të tjera, modelja e thotë qartë se djali tashmë nuk është më prioritet për Erosin, pasi ky i fundit ka nisur një romancë të re. Ajo tregon se edhe pse ka qenë në Tiranë me të dashurën e tij, ish-futbollisti i Partizanit dhe Kombëtares, nuk ka marrë pjesë as në ditëlindjen e 3-të të të birit.

Gjatë reagimit të gjatë të saj, Abazi thekson se ka fakte me biseda në “whatsapp”, por më tej shpjegon se për të respektuar të birin, nuk do t’i publikojë. E mbyllja është mjaft e bukur, me modelen që shpreson se ndonjë prind të reflektojë pas shkrimit të saj, ku tregon një realitet të hidhur.

REAGIMI:

Nuk kam qenë kurrë nga ata njerëz që zgjedhin t’i nxerrin historinë personale në rrjetet sociale. Kam besuar gjithmonë se disa gjëra duhen zgjidhur larg syve të të tjerëve. Por, ka edhe momente kur heshtja nuk është më forcë, sidomos kur bëhet fjalë për një fëmijë, që nuk ka zë për të treguar atë që ndien, prandaj sot po vendos të flas unë publikisht. Ky nuk është një postim për hakmarrje, as për të denigruar dikë. Nuk është as një kërkesë për vëmendje. Është një reflektim për atë që do të thotë të jesh prind dhe për përgjegjësinë që nuk mbaron kurrë, pavarësisht se si ndryshon jeta jonë personale. Dua të sqaroj edhe diçka paraprakisht.

Nuk më shqetëson fakti që babai i Kianit ka zgjedhur të vazhdojë jetën e tij apo që ka një partnere të re. Çdo njeri ka të drejtë të gjejë lumturinë e tij. Ajo që më dhemb është kur krijimi i një jetë të re, bëhet arsye që fëmija të mos jetë më prioritet. Ky nuk është një shkrim për një ish-partner, por për një djalë të vogël që meriton praninë e babait të tij. Ndoshta dikush do të pyesë pse nuk ekziston bashkëprindërimi mes nesh. E vërteta është se do të kisha dashur shumë që djali ynë të kishte dy prindër, që edhe pse jo më bashkë si çift, të bashkëpunonin me respekt për të mirën e tij. E kemi provuar. Por me kalimin e kohës, kuptova se kufijtë mes rolit të prindit dhe marrëdhënies sonë si ish-partner, nuk po respektoheshin. Prandaj zgjodha që komunikimi mes nesh të kufizohej.

Jo nga inati, jo nga krenaria dhe as për të ndëshkuar dikë, por sepse besoj se kjo ishte mënyra më shëndetshme për të ruajtur qetësinë dhe stabilitetin e djalit tonë. Kjo nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë një pengesë për marrëdhënien e tij me djalin. Dera ka qenë gjithmonë e hapur që ata të kalojnë kohë bashkë. Ka një dallim të madh mes të qenurit prind biologjik dhe të qenurit prind i pranishëm. Një fëmijë nuk mat dashurinë me dhurata apo premtime, por me kohën, praninë dhe përkushtimin. Fatkeqësisht, ka raste kur prioritetet ndryshojnë, ndërsa fëmija mbetet duke pritur. Të mungosh në 3-vjetorin e ditëlindjes së djalit tënd, ndërkohë që vetëm dy ditë më parë ke qenë në Tiranë me partneren tënde, është një mungesë që nuk mbulohet me justifikime.

Të gjesh kohë për dy javë pushime, por të thuash se nuk ke mundësi ta marrësh djalin tënd qoftë edhe për disa ditë në plazh, është një zgjedhje. Të takosh fëmijën vetëm një herë në muaj, edhe pse dera ka qenë gjithmonë e hapur dhe nuk të është vendosur asnjë pengesë, është zgjedhje. Edhe më e dhimbshme është kur premton se do të vish dhe nuk e mban fjalën, sepse një fëmijë pret me zemër, jo kalendar. Kulmi i gjithçkaje është kur një fëmijë vetëm 3 vjeç, i prezantohet një person i ri si “gruaja e babit”, në një kohë kur ai ende po përpiqet të kuptojë mungesën e vetë babait. Dhe jo, nuk po them që nuk e do djalin e tij apo që nuk ka kaluar momente të bukura me të. Sigurisht që ka. Por një fëmijë nuk ka nevojë vetëm për momente të bukura që mund të fotografohen apo të publikohen, ka nevojë për vazhdimësi, për qëndrueshmëri dhe për një prani që nuk varet nga rrethanat. Ky nuk është një konkurs se kush ka më shumë foto apo video. Është një reflektim mbi rëndësinë e pranisë së përditshme në jetën e një fëmije.

Pavarësisht gjithçkaje, kam bërë një zgjedhje që nuk do ta ndryshoj kurrë. Djalin tin e kam rritur me dashuri dhe respekt për babain e tij. Nuk kam dashur që zhgënjimet e mia të bëhen barra e tij. Ai e do shumë babain e tij dhe unë nuk kam dashur kurrë t’ia zbeh atë dashuri. Sepse besoj se një fëmijë nuk duhet të mbajë peshën e marrëdhënies së prindërve të tij. Ajo që dua është që kjo dashuri të ketë mundësinë të ushqehet nga prania, jo vetëm nga mungesa dhe pritja. Ky shkrim nuk është për të gjykuar askënd dhe as për të nxitur urrejtje. Është një kujtesë se fëmijët nuk kanë nevojë për prindër perfektë, por kanë nevojë për prindër që i zgjedhin ata çdo ditë. Sepse koha e humbur nuk kthehet dhe boshllëqet që lë mungesa e një prindi, shpesh mbetet gjatë në zemrën e një fëmije.

Ndarja e nje çifti nuk duhet të jetë kurrë ndarja e një prindi nga fëmija i tij. Marrëdhëniet mbarojnë, por përgjegjësia dhe dashuria për një fëmijë, duhet të mbeten të pandryshuara. Gjithçka që kam shkruar, bazohet në përjetimet dhe komunikimet tona në “whatsapp”, të cilat kam zgjedhur që thjesht për momentin të mos i bëj publike, nga respekti për privatësinë dhe mbi të gjitha për djalin tonë. Nëse ky shkrim bën që qoftë edhe një prind i vetëm të reflektojë dhe të zgjedhe të jetë më i pranishëm në jetën e fëmijës së tij, atëherë ai e ka arritur qëllimin.

Poll

Lexo gjithashtu