
Shqipëria do të përballet me Moldavinë në transfertë në kuadër të raundit të shtatë të kualifikueseve të Europianit. Një ndeshje që është si “finale” për Kombëtaren tonë, por një surprizë moldave mund t’i bëjë këta të fundit të ëndërrojnë për europianin.
Në prag të kësaj sfide ka folur mesfushori i Moldavisë, Vadim Rata.
“Presim një mbështetje të madhe nga tifozeria nesër. Shqipëria na mundi në ndeshjen e parë falë tifozerisë së jashtëzakonshme, që e mbështeste fuqishëm. Falë tyre ata fituan edhe me Poloninë e Çekinë, ndaj edhe ne duam një mbështetje të fortë në sfidën e nesërme. Duam ta kemi në krah lojtarin e 12 dhe shpresojmë që edhe fusha të flasë në favorin tonë.
Ne e kemi parë në fushë që ata janë skuadra më e fortë e grupit dhe do të jetë ndeshje e vështirë. Jemi para një momenti historik, por nuk duhet të mendojmë për objektivat dhe për shanset e kualifikimit, pasi presioni i tepërt nuk të lejon të japësh maksimumin në fushë. Ne do të hyjmë në fushë të përqendruar dhe gati të fitojmë çdo dyluftim, me shpresën që do të marrim rezultatin që duam. Nuk dua të flas për shanse kualifikimi, apo kombinime rezultatesh”, është shprehur mesfushori moldav.