
Real Madrid mori një fitore të rëndësishme në ndeshjen e dytë të Botërorit të Klubeve, pas suksesit 3-1 kundër Pachucas. Të besuarit e trajnerit Xabi Alonso e nisnën këtë ndeshje në mënyrën më të keqe të mundshme, pasi mbrojtësi Asencio në minutën e 7 u ndëshkua me karton të kuq.
Me këto “ngjyra” u mendua se “Galaktikët” do të zhgënjenin sërish, pas barazimit në debutim me Al-Hilal, por nuk ndodhi kështu. Jude Bellingham në minutën e 35 dhe Arda Guler në të 43 minutë e mbyllën pjesë e parë në avantazh të dyfishtë për spanjollët.
Në 45 minutat e dyta pati kohë edhe për një tjetër finalizim, kësaj radhe me autor Valverde. Ndërsa goli i Montiel nga kampi i Pachucas vlejti thjesht sa për statistikë. Me këtë triumf Reali ngjitet në krye të Grupit H provizorisht, pasi për pak minuta zbresin në fushë Salzburgu dhe Al-Hilal.