
Donald Trump ishte i ftuari i presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino në finalen e Botërorit të Klubeve ku Chelsea triumfoi ndaj PSG-së me shifrat 3-0.
Presidenti i SHBA-së u bashkua kreut të FIFA-s në fushë pas përfundimit të ndeshjes, për t'ia dorëzuar trofeun skuadrës londineze.
Por çuditërisht, Trump zgjodhi të mos e ndiqte Infantinon jashtë kuadratit pasi ia dorëzoi trofeun kapitenit Reece James, duke qëndruar aty teksa yjet e Chelseat u detyruan të festonin rreth tij.
Pas ndeshjes, James komentoi për këtë moment. “Të them të drejtën, ishte mjaft e zhurmshme. Nuk munda të dëgjoja shumë. Ai thjesht më përgëzoi mua dhe ekipin për ngritjen e trofeut dhe na tha të shijonim momentin.”, u shpreh kapiteni i Chelsea.
Për më tepër, Cole Palmer, i cili shënoi dy gola fantastikë, duke udhëhequr ekipin drejt fitores u duk i hutuar nga prania e gjatë e Trumpit në fushë.