
Bayern Munich është mposhtur nga Benfica, në kuadër të ndeshjes së fundit në Grupin C, në Botërorin e Klubeve. Kjo sfidë përfundoi me rezultatin 1-0 në favor të portugezëve.
Golin e vetëm të kësaj sfide e shënoi Schjelderup në minutën e 13-të të sfidës. Ndërkohë që Bayerni u mundua shumë në pjesën e dytë, por pa rezultat. Një nga lojtarët që humbi shumë raste, ishte Leroy Sane. Sulmuesi gjerman u tregua i “papjekur” përballë portierit Trubin, në dy raste flagrante.
Vlen të përmendet që protagonist në këtë ndeshje ishte edhe mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Adrian Bajrami. Shqiptari u fut në lojë në minutën e 78-të, kur mori vendin e Renato Sanches.
Kështu mbyllet edhe Grupi C, me Benfican që kryeson me 7 pikë, ndërsa Bayerni me 6 të tilla mban vendin e dytë. Nga ky grup eliminohen Boca Juniors dhe Auckland City.