Nuk ka më ndeshje të lehta dhe këtë e vërteton kalendari i superpërballjeve që do të nisin pikërisht mbrëmjen e sotme dhe do të vazhdojnë deri ditën e martë.
Brazili i Carlo Ancelottit do të sfidojë Norvegjinë në stadiumin “MetLife Stadium”, sot prej orës 22:00. Pasi mposhtën në “frymën finale” Japoninë 2-1, “Seleçao” do të gjenden përballë një kundërshtari kompleks, pasi tek nordikët gjenden forca të shumta në çdo repart.
Një ditë më vonë, pra në orët e para të mëngjesit të së hënës, Meksika pret Anglinë në “Estadio Banorte”. Ndeshja e cila do të luhet në orën 02:00 do të zbulojë shumë për vazhdimësinë e performancës si e pamposhtur të meksikanëve të cilët s’e njohin humbjen prej 5 ndeshjesh radhazi. Sakaq, edhe “Tre Luanët” vijnë të favorizuar në letër me një “bomber” në sulm si Harry Kane.
Në mbrëmje, prej orës 21:00, zbresin dy “titanët” Portugali – Spanjë. Një përballje që do të shkaktojë emocione të jashtëzakonshme në stadiumin “AT&T Stadium” të Teksasit, ku Lamine Yamal do të vihet përballë Cristiano Ronaldos.
Të martën janë edhe tre përballjet e fundit. Amerika mat forcat me Belgjikën në orën 02:00 të mëngjesit, ndërsa Argjentina e Leo Messit sfidon Egjiptin e Mohamed Salah në orën 18:00. Faza e 1/8-tave mbyllet me Zvicër – Kolumbi, e cila luhet në orën 22:00.
