Ekipi i Lazios ka shkaktuar befasinë e madhe në javën e 29-të. Marrë në konsideratë momentin e vështirë që po përjeton skuadra e drejtuar nga Maurizio Sarri, u mendua se Milani do e kishte të thjeshtë për të marrë 3 pikët, por rezultoi e kundërta.
Kryeqytetasit fituan me rezultatin 1 – 0, deciziv goli i Isaksen në minutën e 26-të. Trajneri Allegri, hodhi më të mirët në fushë te Milani, por kuqezinjtë nuk lanë dot “gjurmë”, 0 gola dhe kthehen në Milano me 0 pikë.
Pas kësaj humbje, “veniten” shpresat për titullin në Serie A, 8 pikë mbrapa Interit kryesues. U parashikua se barazimi i Interit gjatë ditës së djeshme, do “karikonte” Rafael Leao me shokë, ndonëse nuk ndodhi kështu.
Deri në përfundim të kampionatit, kanë mbetur edhe 9 javë të tjera, ndërsa janë në lojë 27 pikë. Përsa i takon mbrojtësit të Kombëtares Elseid Hysaj, 32-vjeçari ishte në stolin e rezervave, ndërsa ka prej 7 janarit të këtij vitit që nuk luan me Lazion, segment kohor tej mase i gjatë.
