Milani barazoi pa gola përballë Juventus, duke bërë që skuadrat të merrnin nga një pikë për llogaritë e kualifikimit në zonën Champions.
Megjithatë, marrja e një pike mund të mos përbëjë më një lajm që i kënaq kuqezinjtë, pasi këta të fundit do të duhet të përballen me një tjetër dëmtim që prek pikërisht formacionin e Max Allegrit.
Një përplasje u regjistrua në fushë mes dy mesfushorëve, Manuel Locatelli dhe Luka Modric, por pasojat i ka marrë ky i fundit i cili nga ky konfrontim fizik ka mbetur me dëmtime në nofull e si rezultat do t’i mungojë skuadrës për pjesën e mbetur të sezonit.
Padiskutim një lajm i keq për “Djallin” që duhet të bëjë pa veteranin kroat në ndeshjet e fundit në kampionat me ambicien e vetme për t’u kthyer në elitën e Europës sezonin e ardhshëm.
Mbetet po ashtu e paqartë nëse Modric do të vijojë të qëndrojë kuqezi, pasi kontrata e tij përfundon në fund të qershorit, ndërsa vlen dhe zgjatja e saj edhe për një vit më shumë.
View this post on Instagram
