Katër ndeshjet e së martës për javën e 29-të në Premier League kanë prodhuar rezultate të çuditshme. Befasia më e madhe ishte humbja e Liverpool në transfertë kundër Wolves. Edhe pse “Ujqërit” janë të rënë nga Premier League, mposhtën “Reds” me shifrat 2 – 1.
Gomes shënoi për Wolves në minutën e 78-të, ndërsa Salah barazoi 5 minuta më vonë. Në “frymën e fundit” të ndeshjes, Andre “gjunjëzoi” skuadrën e Arne Slot.
Humbja në fjalë do të thotë shumë për Liverpool, pasi rrezikojnë ndjeshëm të mbeten jashtë zonës Champions sezonin e ardhshëm, çka do të ishte “goditje” në shumë aspekte.
Në sfidat e tjera, Everton ia doli të fitojë pa shumë mundim karshi Burnley 2 – 0. Me këtë disfatë, “fundosen” shanset e ekipit të Armando Brojës për të “mbijetuar” në elitën e futbollit anglez. Sunderland triumfoi minimalisht 1 – 0 ndaj Leeds, kurse Bournemouth – Brentford u mbyll pa gola.
