Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

CONFERENCE LEAGUE

EKSKLUZIVE/ “Aventura evropiane ishte peng i imi”, Arbin Zejnullai pas suksesit historik me Shkëndijën në Conference League: Kemi merituar më shumë se kaq!

Shkruar nga Nikoll Rajta
EKSKLUZIVE/ “Aventura evropiane ishte peng i imi”, Arbin Zejnullai
Arbin Zejnullai

Shkëndija e Tetovës shkroi historinë, duke u renditur në vendin e 22-të në fazën e ligës të UEFA Conference League, për të shkuar më tej. Në muajin janar do të njohë kundërshtarin e “play-off”-it, një mes Lech Poznan ose Samsunspor. Megjithatë, sido që të shkojnë gjërat, kuqezinjtë nga Tetova kanë bërë krenarë një Shqiptari të tërë.

Për ecurinë në kompeticionin evropian, por edhe për objektivat e synimet e Shkëndijës, ka folur fantazisti Arbin Zejnullai, në një intervistë ekskluzive për “Newsport Albania”. Ish-i i Egnatias ka treguar ndeshjet më të bukura gjatë kësaj aventure evropiane, teksa s’ka kursyer elozhet edhe për rrogozhinasit, me të cilët u shpall kampion në Superioren e Shqipërisë.

Arbin, Shkëndija po përjeton një sezon historik në Conference League. Cili ka qenë çelësi i kësaj ecurie pozitive dhe sa ka ndikuar besimi i grupit në këto rezultate?

Sigurisht se besimi se mund të prekim këto nivele ka qenë një prej pikave kyçe, por nëse nuk punon fort, vetëm besimi nuk mjafton. Unë jam në klubin ku jam rritur, kisha fituar dhe më parë tituj, por peng kisha grupet apo tani siç quhet faza e Ligës në Evropë. Kur vendosa të kthehem, në kokë kisha një sukses si ky dhe tashmë kur ne tejkaluam pritjet, sigurisht që jam jashtëzakonisht krenar dhe i lumtur që munda të kontribuoj në këto arritje.

Si futbollist që je pjesë aktive e kësaj aventure evropiane, çfarë emocionesh të ka dhënë të luash ndeshje kaq të rëndësishme dhe si ka ndikuar kjo në rritjen tënde personale dhe profesionale?

Unë përveç punës fizike, tekniko-taktike dhe gjithçka që përfshin puna në terren, shumë rëndësi i kushtoj edhe pjesës mentale. Jam përgatitur shumë kohë, duke bindur veten se kërkohet maksimumi në çdo aktivitet, qoftë në seancë stërvitore, ndeshje kampionati apo përballje evropiane. Kur futesh në fushë me bindjen për të shfaqur versionin tënd më të mirë, sigurisht se nuk do mungojë rezultati.

Cila ka qenë ndeshja më e vështirë deri tani në Conference League dhe çfarë mendon se e bëri Shkëndijën të dalë mbi pritshmëritë në Evropë këtë sezon?

Çdo ndeshje ka pasur peshën e vet dhe është dashur shumë mund për të qenë këtu. Nëse do të dështonim ndeshjen e parë eliminatore me TNS nga Uellsi, nuk do ishim këtu. Duke ecur, për faktin që kapëm fazën e Ligës, ndeshja me FCSB në Bukuresht ishte shumë e bukur dhe e rëndësishme. Pastaj në fazën e Ligës çdo ndeshje ishte histori në vete, por mund të them se përveç ndeshjes me Rayo Vallecanon, në gjitha 5 takimet tjera kemi qenë ekip konkurrues dhe 7 pikët e grumbulluara nuk korrospondojnë me paraqitjet në fushë. Përfundimisht kemi merituar më shumë.

Nga brenda skuadrës, a ndjeni se Shkëndija mund të shkojë edhe më larg në Conference League dhe cilat janë ambiciet reale për fazën e ardhshme të kompeticionit?

Në futboll ekzistojnë befasitë dhe ne vetë jemi ata që i kemi provuar t'i bëjmë. Por, të jesh real me veten është vyrtyt. Të jemi në Europë në pranverë është diçka e mrekullueshme. Por, prioriteti ynë do të jetë kampionati dhe Kupa e vendit. Europa është luksi që duhet ta shijojmë. Por, kur të vijnë ndeshjet, sigurisht se do të provojmë më të mirën, me shpresë për të tjera befasi.

Si ndryshon përgatitja dhe mentaliteti i ekipit në ndeshjet evropiane krahasuar me kampionatin vendas, dhe çfarë kërkohet më shumë nga një futbollist në këtë nivel?

Ne jemi profesionistë dhe provojmë të kemi qasjen e njejtë, por të jem i sinqertë është gati e pamundur të mos jesh i afektuar. Përgatitja dhe puna është e njejtë, por mentaliteti ndikohet. Nga ambienti, rëndësia e ndeshjeve, emri i rivalit, organizimi që kërkon UEFA, interesi i mediave nga vendi dhe jashtë. Janë shumë gjëra që të japin atë ndjenjën e bukur të të qenurit pjesë e ajkës së futbollit.

Duke kaluar te Superiorja shqiptare, ti ke qenë pjesë e Egnatias. Si e sheh garën këtë sezon dhe a beson se Egnatia ka potencialin dhe qëndrueshmërinë për t’u shpallur kampione për herë të tretë radhazi?

Sigurisht që po. Sukseset e Egnatias nuk janë të rastit. Është një punë disavjeçare që tashmë po sjell rezultatet. Një president ambicioz, korrekt dhe me vizion të qartë për rrugë që duhet të ndjek skuadra. Për të mirën e kampionatit shqiptar dhe të vetë Egnatias, vlerësoj se duhet rivalitet akoma më i fortë, më shumë ekipe që synojnë titullin, të jenë lart ekipet me peshë të vendit, bashkë me projektet e reja e ambicioze dhe në fund të shohim edhe skuadrat e Shqipërisë në nivelet që këtë vit janë Shkëndija dhe Drita e Gjilanit.

Poll

Lexo gjithashtu