Në emisionin "Rubrika Sportive" që transmetohet në RTSH-së, pjesë e të ftuarve ishte si zakonisht gazetari sportiv dhe drejtori i "Supersport", Ylli Aga, i cili bëri një rezyme të përgjithshme për verdiktet që solli dhe java finale e "Abissnet Superiore" me 5 ndeshjet e luajtura këtë të dielë.
Krahas statistikave që kishte përmbledhur për secilin prej ekipeve, Aga u shpreh i drejtpërdrejtë për pozicionet që morën këto skuadra në tabelën e klasifikimit.
"Tek filmi “Man on Fire”, është pjesa që plumi thotë gjithmonë të vërtetën. Kampionati thotë gjithmonë të vërtetën. Sepse në harkun e një sezoni, pavarësisht oshilacioneve, problematikave apo meritave, në fund maratona jep faturën e duhur të gjitha ekipeve me ndonjë përjashtim.
Dhe për ta konfirmuar mund të përmend thjesht që vendin e parë e mori Vllaznia që ka kryesuar 21 nga 36 javë, vendin e dytë e mori Elbasani që ishte skuadra që numëronte më tepër pozicionime në vendin e dytë 15 herë, Egnatia 14 herë e treta, Dinamo 20 herë e katërta, Bylis dhe Flamurtari janë 20 herë në vendet e fundit, Flamurtari është 31 herë.
Edhe Vora është skuadra që renditet më shumë e shtata. Ndërkohë që përjashtim bën Tirana që është vetëm hera e tretë që renditet e gjashta dhe Teuta që është hera e vetme që renditet e teta, qëllon atëherë kur nuk duhet dhe i detyrohet të bëjë një play-out.
Çdo skuadër ka marrë atë çfarë ka merituar. Kjo ndoshta mund të jetë një justifikim për pjesët e tjera sepse nga protagonistët duhet të ketë një reflektim. Ka pasur situata, problematika që nuk i kemi parë në historinë e 90 kampionateve që janë luajtur në Shqipëri”, tha Aga.
