Java e 24-të në Superiore ka prodhuar 12 gola në 5 ndeshje, ndërsa ka bërë “bujë’ fitorja e Partizanit në derbi kundër Tiranës, sikurse triumfi i Vllaznisë karshi Elbasanit, teksa ekipi i drejtuar nga Edi Martini ka filluar shkëputjen. “Newsport” e ka bërë “zakon” përzgjedhjen e formacionit të javës. Në 11-she dominon Partizani me 3 lojtar, ndërsa nuk mungojnë as nga kampi i Teutës.
Pano Qirko (Partizani): Edhe pse në 45 minutat e para Tirana ishte e “qetë” në portën rivale, në pjesën e dytë, bardheblutë rritën tempin. Gjithsesi, portieri Qirko ishte i gatshëm për t’i bërë ballë goditjeve nga bardheblutë. Pano Qirko është kthyer në “garanci” te “Demat e Kuq”.
Lorenc Trashi (Flamurtari): Kapiteni i Flamurtarit Lorenc Trashi tregoi kundër Dinamos se është lider te vlonjatët. I kudondodhur në prapavijë. Impakti dhe eksperienca e 33-vjeçarit luajti rol thelbësor në barazimin ndaj dinamovitëve.
Blerim Kotobelli (Teuta): Edhe pse Teuta u gjend në disavantazh që në minutat e para me Bylisin, durrsakët ruajtën qetësin dhe përmbysën gjithçka, duke marrë 3 pikët. Protagonist absolut ishte kapiteni Blerim Kotobelli. “Magjia” e 33-vjeçarit në minutën e 57-të nga ekzekutimi mjeshtërorë prej goditjes së dënimit i dha fitoren Teutës.
Saliou Sembene (Partizani): Qëndërmbrojtësi senegalez Sembene jo vetëm që është titullar i padiskutueshëm te Partizani, por edhe pikë referimi në pjesën tjetër në prapavijë. 24-vjeçari rezultoi i pakalueshëm për sulmuesit e Tiranës.
Ardit Toli (Teuta): Karakteri dhe grimta e treguar nga Toli kundër Bylisit është për t’u “duartrokitur”. I dalë nga akademia e Olympiacos në Greqi, Toli nuk i ka humbur “reflekset”, jo vetëm në “mbulim”, por edhe me inkursione prej thellësisë në adresim të sulmit.
Kevin Qefalija (Dinamo): Edhe pse Dinamo nuk po kalon moment të mire, përsa i takon rezultateve, Kevin Qefalija ka treguar rendiment të kënaqshëm. Ekuilibrues dhe lidhës mes reparteve. Komponentët në fjalë u pikasën karshi Flamurtarit.
Ardit Krymi (Vllaznia): Vllaznia nuk e pati aspak të lehtë kundër Elbasanit, ndërsa fituan vetëm në “frymën e fundit” me golin e Dodaj. Gjithsesi, Ardit Krymi ishte aty sa herë që “sirenat e alarmit” kërcënonin ekipin. Cilësitë e “shkatërruesit” Krymi i demostroi më së mirë ndaj sulmuesëve të Ivan Gvozdenovic.
Irgi Kasalla (Vora): Pavarësisht rolit si mesfushor, Irgi Kasalla ka marrë “pozitën” e goleadorit në ekipin e Vorës me 6 gola këtë sezon. 23-vjeçari shpëtoi nga humbja skuadrën e drejtuar nga Arian Bellai ndaj Egnatias, gol në minutën e 87-të.
Fernando Medeiros (Egnatia): Në 24 javë të zhvilluara në Superiore, edicionin aktual, mesfushori Fernando Medeiros i ka luajtur të gjitha, pikë referimi në ekipin e Egnatias. Për trajnerin Tetova, braziliani është i “paprekshëm”. Goli në srilin “Panenka” përmes penalltisë së fundmi kundër Vorës, tregoi cilësitë e amerikano-latinit.
Sekou Sidibe (Partizani): Ka 4 ndeshje me skuadrën e Partizanit, por Sidibe duket sikur ka një “jetë” me “Demat e Kuq”. Sulmuesi 24-vjeçar bëri gjithçka në derbi ndaj Tiranës, gol dhe asist. Për trajnerin Oltijon Kërnaja, Sidibi është “armë” shtesë në fazën ofensive.
Kevin Dodaj (Vllaznia): Për të kuptuar arsyen përse Dodaj është pjesë e formacionit të javës së 24-të në Superiore, mjafton të përmendim golin e fitores në minutën e 97-të kundër rivalit të drejtpërdrejtë në çështjen “titull”, Elbasanit. Ky ishte konkretizimi i parë me Vllazninë pas rikthimit te ekipi shkodranë.
Trajneri i Javës – Edi Martini (Vllaznia): Trajneri Martini po dëshmon me skuadrën e Vllaznisë se është një “shahist” i vërtetë. Pavarësisht se kuqeblutë pësuan gol në minutën e 80-të nga Elbasani, nuk e humbën logjikën dhe “gjakftohtësinë”. Luftuan deri në fund dhe morën 3 pikët kundër rivalit për titull.
