Java e 35-të e Abissnet Superiore mbylli llogaritë të mërkurën, aty ku u bëmë sërish dëshmitarë të rezultateve surprizë. Vëmendjen më të madhe e morën fitoret e skuadrave që luftojnë për të qëndruar në elitë, pasi gara vijon të jetë ende e fortë dhe e hapur.
Si çdo herë, Newsport përzgjedh 11-shen më të mirë të kësaj jave, si dhe trajnerin fitues.
Visar Bekaj (Tirana) – Gardiani bardheblu ishte i gatshëm në çdo moment për të frenuar kundërsulmet e shkodranëve. Një portë e paprekur është dhe një meritë e padiskutueshme e portierit të Kosovës që tregon lartësinë e tij në detyrë.
Fabian Vera (Tirana) – Nëse Bekaj ka notën e tij maksimale në katërkëndëshin e portës, edhe Vera nuk mbetet pas në prapavijë. Sigurohet që Vllaznia të ndjejë vështirësi në depërtime dhe mbulon hapësirat në mënyrë shumë të kujdesshme.
Aurel Marku (Bylis) – Mbrojtësi shënoi golin e parë të takimit përballë Elbasanit, sfidë e cila përfundoi në favor të ballshiotëve me rezultatin 2-1. I përgjegjshëm edhe në prapavijë duke bërë ndërhyrje shpëtimtare.
Naser Aliji (Dinamo City) – I vendosur saktë në rastet e rrezikshme të krijuara nga Vora. Edhe pse Dinamo pësoi 2 gola në këtë takim, paraqitja e mbrojtësit të kryeqytetasve mjafton që të zë vënd në rreshtimin e mbrojtjes.
Aliyev (Egnatia) – Goli i tij i hapi rrugë fitores së Nevil Dedes në debutim në stol. Një mbrojtës krahu i cili mund t’i hap probleme kundërshtarëve, pavarësisht pozicionit që mban.
Rafael (Tirana) – Shënoi golin e vetëm në klasiken përballë Vllaznisë. Tri pikët mbajnë “firmën” e tij.
Fernando (Egnatia) – I kudondodhur në mesfushë. “Kilometrat” e përshkruara justifikojnë pozitën e “fiksuar” në këtë formacion.
Muço Boçi (Teuta) – Nëse Teuta është ende në pozita që mund të shpresojë për mbijetesën, është padyshim merita e anësorit të djathtë, Boçit. Goli i tij në fraksionin e dytë të lojës “çliron” skuadrën e trajnerit Hodo.
Dejvi Bregu (Dinamo City) – I vëmendshëm në çdo aksion goli dhe “gjahtar” i vërtetë para portës. Bregu është “komandanti” që udhëheq kryeqytetasit kur duhet njeriu gol dhe kjo u vërtetua dhe në sfidën përballë Vorës.
Irgi Kasalla (Vora) – 11 metërshat janë specialiteti i tij dhe pika në “Air Albania” mban “vulën” e mesfushorit që po ndihmon vorakët të mbijetojnë edhe këtë sezon në Superiore. Për herë të dytë radhazi në formacionin më të mirë.
Pedro (Bylis) – spikati me paraqitjen në ndeshjen përballë Elbasanit. Edhe pse nuk shënoi gol, ishte aty një pikë referimi në sulm për t’i bërë dëm kryesuesve.
Ndërsa, Orges Shehi është trajneri që udhëheq këtë 11-she. Tirana ka ndryshuar qasje dhe sjellje në fushën e lojës, ndaj 3 pikët nuk janë rastësi, por vazhdimësi e punës fantastike të trajnerit durrsak.
