Pavarësisht humbjes në Ballsh me rezultatin 1-2 përballë Bylisit, Elbasani nuk ka ndërmend "të ngrysë" fytyrat, pasi skuadra e cila e ka nisur me pretendime të mëdha në këtë edicion të Abissnet Superiores, duke përfshirë këtu dhe objektivin për titullin pasi siguruan dhe matematikisht Final Four, është rikthyer po ashtu në Kupat e Europës.
Në një postim të bërë në faqen zyrtare në rrjete sociale, kryesuesit e tabelës së klasifikimit shkruajnë se kjo arritje nuk mund të zbehet nga disa rezultate negative që janë arritur në javët e fundit dhe se Elbasani është më shumë se një rezultat javor pasi skuadra flet për historinë, identitetin, krenarinë si dhe përgjegjësinë.
Po ashtu, klubi shprehet se e kupton zhgënjimin e tifozëve të saj, por zgjati ftesën që në këtë moment kyç të qëndrojnë të bashkuar, për të mos dhënë përshtypjen e një përçarjeje në fazën më kulminante të sezonit.
POSTIMI:
"Rikthehemi në kompeticionet europiane pas 20 vitesh!
AF Elbasani ka kaluar javë të vështira në kampionat dhe rezultatet e fundit nuk kanë qenë ato që të gjithë do të dëshironim. E kuptojmë zhgënjimin, emocionin dhe pritshmërinë e madhe të çdo tifozi, sepse ky klub jeton përmes pasionit të qytetit dhe mbështetjes së tribunave.
Por kritika sportive nuk duhet të kthehet kurrë në gjuhë banale, ofendime personale apo gjuhë urrejtjeje ndaj futbollistëve, stafit teknik dhe njerëzve që çdo ditë punojnë për këtë fanellë. Elbasani është më shumë se një rezultat javor. Është histori, identitet, krenari dhe përgjegjësi.
Sot, pavarësisht vështirësive të momentit, skuadra jonë është kryesuese, me dy pikë avantazh, pretendente serioze për titullin kampion dhe zyrtarisht në kompeticionet europiane pas 20 vitesh. Kjo është një arritje që nuk mund dhe nuk duhet të zbehet nga disa rezultate negative.
Në këtë fazë të rëndësishme të sezonit, ekipi nuk ka nevojë për përçarje, por për forcë, besim dhe mbështetje. Futbollistët tanë kanë nevojë të ndiejnë se qyteti është pas tyre, jo kundër tyre.
AF Elbasani respekton çdo kritikë të drejtë dhe çdo mendim të sinqertë, por distancohet kategorikisht nga çdo formë ofendimi, fyerjeje apo gjuhe të papërshtatshme. Ky klub përfaqëson sakrificën, dinjitetin dhe qytetarinë.
Tani është momenti të qëndrojmë bashkë.
Tani është momenti të mbështesim ekipin.
Tani është momenti të tregojmë se çfarë do të thotë të jesh tifoz i Elbasanit".
