
Ivan Gvozdenoviç është zyrtarisht trajneri i Skënderbeut. Siç ishte përfolur prej ditësh, ish-lojtari i njohur i Superiores ka marrë drejtimin e korçarëve. Pasi është prezantuar nga presidenti Ardjan Takaj, ai ka folur edhe fjaët e para si “timonier” i bardhekuqve.
Ai është shprehur i bindur se skuadra korçare do të rikthehet te sukseset e dikurshme. Në fund e ka mbyllur duke premtuar vetëm fitore. Në kanalin zyrtar të klubit të Skënderbeut thuhej:
“Ivan Gvozdenoviç, zyrtarisht bardhekuq
Presidenti Ardjan Takaj ka prezantuar sot teknikun e ri bardhekuq.
Fillimisht Presidenti bardhekuq ka falenderuar ish trajneri Migen Memelli për punën e zhvilluar në klub dhe me pas vijoi me prezantimin e trajnerit të ri.
Në fjalën e tij trajneri Ivan Gvozdenoviç është shprehur i lumtur që rikthehet në Korçë, tashmë ne rolin e trajnerit.
“Jam i lumtur që ndodhem këtu, Korça është e ftohtë, por jam ndjerë ngrohtë sapo kam shkelur në stadium. Skënderbeu është një klub i madh dhe ne na takon të rikthejmë klubin sërish në nivelet e mëparshme. E njoh grupin, kemi kualitete por duhet të punojmë me anën psikologjike dhe mentalitetin e lojtarëve. Ne jemi Skënderbeu, si në ndeshjet në shtëpi por edhe jashtë do të shkojmë vetëm për fitore”, u shpreh trajneri bardhekuq.
Mirë se vjen Ivan!”