Kristjan Asllani do të rikthehet te Inter. Sipas gazetarit turk, Jagiz Sabuncullu, Besiktas nuk është gati që të paguajë miliona euro për shërbimet e mesfushoirt të Kombëtares shqiptare.
Trajneri, Sergen Yalcin nuk e ka në plan për sezonin e ardhshëm edhe pse ishte pikërisht ai që e kërkoi në janar. Megjithatë, duket se Asllani nuk e ka bindur me paraqitjet e tij, duke çuditur jo pak, pasi 24-vjeçari është preferuar nga teknik Yalcin edhe si titullar.
Në këto kushte, ai do të rikthehet te Inter në fund të sezonit. Por, edhe klubi nga Milano nuk e dëshiron më, pasi e ka nxjerrë jashtë planeve prej kohësh. Tani, Asllani dhe Inter do të kërkojnë destinacionin e ri, qoftë në huazim apo shitje përfundimtare.
Vlen të theksohet 24-vjeçari nga Elbasani po kalon një periudhë tepër të vështirë në karrierë. Pasi Interi i bëri dalje, ai i huazua te Torino, me të cilët luajti deri në janar, para se të vishte fanellën e “shqiponjave” të Stambollit.
