
Kombëtarja shqiptare prej ditësh vazhdon intensivisht përgatitjet për duelin me Serbinë, takim që do të luhet ditën e shtunë në “Arenën Kombëtare” duke nisur që nga ora 20:45. Një sfidë shumë e rëndësishme për kuqezinjtë, të cilët do të kërkojnë fitoren në shtëpi përballë rivalit më të urryer në histori.
Emocionet sa vijnë e shtohen për këtë përballje, me Sylvinhon që bëhet me “dhimbje koke” 2 ditë para duelit me serbët. Kjo pasi Rey Manaj vazhdon të stërvitet veçmas, pasi siç është bërë e ditur po kalon një gjendje gripale.
Lushnjari edhe në stërvitjen e pasdites së djeshme nuk iu është bashkuar grupit, duke qëndruar vetëm në palestër. Kjo mban në “ankth” stafin e kuqezinjve, pasi gjendja e tij nuk premton shumë për takimin me kombëtaren serbe. Gjithsesi mjekët e skuadrës do të jenë ato që do të thonë edhe “fjalën” e tyre për gatishmërinë e sulmuesit.