Pas përfundimit me sukses të edicionit të 23-të të kursit UEFA A, të organizuar nga Federata e Futbollit në bashkëpunim me UEFA-n, një grup trajnerësh të rinj iu bashkuan familjes së profesionistëve të licencuar në futbollin shqiptar.
Mes të diplomuarve ishin edhe ish-lojtari i Kombëtares shqiptare, Klaus Gjasula, ish-futbollisti i njohur Olsi Teqja, si dhe ish-futbollistja e FC Kinostudio, Edmira Palaj.
Në prononcimet e tyre për fshf.org, trajnerët e sapolicencuar vlerësuan nivelin e kursit, eksperiencën e fituar gjatë këtij rrugëtimi dhe ndanë objektivat e tyre për të ardhmen në karrierën e trajningut.
Klaus Gjausla u shpreh se e gjithë eksperienca e marrë në këtë kurs ishte shumë e vlefshme për të. “Për mua ishte shumë e rëndësishme për të marrë këtë diplomë sepse të ardhmen time e shoh në futboll, dua të vazhdoj si trajner. E gjithë kjo eksperiencë që kam marrë në këtë kurs, është shumë e rëndësishme për të ardhmen time”.
Si e vlerëson ecurinë e kursit? – Kam mësuar shumë, ishte një eksperiencë e mirë për të dëgjuar edhe komentet e pjesëmarrësve të tjerë në këtë kurs. Gjithmonë mësohen gjëra të reja.
Synimet për të ardhmen? – Kam shumë objektiva, nuk dua t’i them të gjitha. Jam njII njeri që po nisa diçka, dua ta përfundoj mirë dhe të nxjerr maksimumin, siç kam qenë si lojtar, ashtu dua të jem edhe si trajner.
Aktualisht Gjasula bën pjesë te Hoffenheim II në Gjermani, ndërsa goli i shënuar kundër Kroacisë në minutën 90+5 me Kombëtaren në "EURO 2024", do të mbetet gjatë i "skalitur".
