Armando Broja vazhdonë të jetë në rënie të lirë. Pas përditësimeve të fundit të bërë nga “Transfermarkt” vlera e sulmuesit shqiptar ka rënë ndjeshëm.
Nga 10 milionë euro që ishte më parë, vlera e tij ka rënë me 2 milionë euro. Tashmë ai kushton 8 milionë euro, duke humbur ndjeshëm “terren” ndaj lojtarëve të tjerë të Kombëtares shqiptare.
Kështu 24-vjeçari renditet i 5-ti në listën e futbollistëve më të shtrenjtë të kuqezinjve, teksa kjo listë udhëhiqet nga Anis Mehmeti me 14 milionë euro, më pas Kristjan Asllani me 13 milionë euro, për të vazhduar me Ernest Muçin me 11 milionë euro dhe Mirlind Daku me 10 milionë euro.
Ndërkohë vlen të theksohet se për Brojën kjo është vlera më e ulët e tij në karrierë që prej moshës 19 vjeçare, ndërsa vlera më e lartë e tij e arritur ka qenë 30 milionë euro, kur ishte në pronësi të Chelsea në vitin 2022 dhe shqiptari ishte 21 vjeç.
Vlen të theksohet se aktualisht sulmuesi është i dëmtuar dhe prej disa javësh mungon në ndeshjet e Burnley. Nuk dihet ende se kur mund të rikthehet, ndërsa na ndajnë vetëm pak javë nga “Play-Off” i Kupës së Botës 2026, ku Kombëtarja shqiptare do të luajë me Poloninë.
