Nedim Bajrami ka humbur shkëlqimin e dikurshëm që ka patur vite më parë në Kombëtaren shqiptare. Rasti flagrant i humbur në ndeshjen me Poloninë në Varshavë, që mund t'i sillte golin e dytë dhe të qetësisë për kuqezinjtë, ka mbetur akoma në kujtesën e opinionit publik.
Në këmbët e mesfushorit të Rangers ishte goli i cili mund të godiste akoma më shumë kundërshtarin dhe sfida mund të merrte një tjetër rrjedhë, por 27-vjeçari goditi keq topin në zonën e rreptësisë duke i hequr Shqipërisë shansin e shkëlqyer për të shpresuar për kualifikimin.
Mirëpo, duket se marrëdhënia e Bajramit me golin është ftohur goxha, pasi kujtojmë që dhe në ndeshjen e fituar në Serbi më 11 tetor, e konkluduar minimalisht falë golit të Rey Manajt, mesfushori pati një mundësi të shkëlqyer pas një depërtimi fantastik duke dalë ballë për ballë me portierin, por goditja e tij u ndal në trupin e këtij të fundit.
Minutat e pakta që po merr në Skoci me skuadrën e tij, mund të jenë pretekst i formës së tij të dobët. Megjithatë, për trajnerin Sylvinho, këto të dhëna nuk i hynë në sy duke zgjedhur ta aktivizojë lojtarin që në pjesën e parë, e për ta zëvendësuar më pas në minutën e 68-të të takimit.
