Sulmuesi i Kombëtares Myrto Uzuni, ka gjetur veten te Austin në MLS-në e SHBA-së, duke shënuar dhe asistur në këtë sezon të ri.
Përmes një prononcim për faqen zyrtare të “FSHF”-së, 30-vjeçari beratas ka treguar edhe prapaskenën pse u prish kalimi te ekipi i Trabzonspor në Superligën turke, ku do të luante së bashku me Ernest Muçin apo qasja e tij kundrejt Lionel Messit:
Forma në SHBA? Këtë vit e kam nisur shumë mirë me Austin, pasi sezonin e kaluar nuk isha mirë, aty ku unë e shoh veten. Kam shënuar katër gola dhe kam dhënë një asist.
Ndeshjet Play-Off me Kombëtaren? Aman mos na e kujto, të lutem. Të gjithë jemi dakord që ekipi ka bërë një arritje, nuk është e lehtë rruga deri aty. Kundër Serbisë dhe në disa ndeshje të tjera kemi bërë mirë. Pas sfidës me Poloninë kam qenë shumë i mërzitur.
Si je ndjerë në Kombëtare? Jam shumë i lumtur, të përfaqësoj veten, familjen dhe kombin. Gjithmonë kam dhënë maksimumin. Sulmuesit kanë egon për të shënuar, por në Kombëtare të gjithë japim më shumë nga vetja.
E ardhmja? Kisha një ofertë shumë të mirë nga Trabzonspori dhe mund të bashkohesha me Ernest Muçin aty. Ishte i mbyllur si transferim, por gjithçka u prish për dhjetë minuta. Trajneri donte shumë të më merrte në ekip, të gjithë ishin dakord dhe oferta ishte e lartë. Ishte njësoj sa ekipi i Austin më bleu te Granada (12 mln euro).
Peng? Në futboll nuk i dihet kurrë, por tani jam shumë i lumtur te Austin, kam mbështetjen e tifozëve dhe u kam dhënë besim, gjë shumë e vështirë kjo. Në SHBA është ndryshe nga Evropa, në momentin që vjen si një yll ata presin shumë nga ti. Ata duan që unë të bëj Messin apo Ronaldon. Ka qenë e vështirë, por tani e kam gjetur veten.
Keni luajtur përballë tyre, kë veçoni Messin apo Ronaldon? Jam ndeshur kundër tyre dhe kam qenë ndër më të mirët në fushë. Është motivim i madh, i sheh nga TV që marrin trofe dhe më pas i ke përballë në fushë. Unë jam një fans i Ronaldos, jam tradicional. Messit nuk i kërkova as fanelën.
